Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup zhvilloi disa takime me krerët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Më konkretisht, Cakaj pati takime me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, kryetarin e Lëvizjes “BESA”, Bilal Kasami, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, si dhe Kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi.
Gjatë këtyre takimeve u vlerësua roli i pazëvendësueshëm në zhvillimin e demokracisë së brendshme, procesin e anëtarësimit në NATO dhe rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Më tej, kryediplomati Cakaj theksoi se kontributi i faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në mbrojtjen e interesave kombëtare, zhvillimin e përgjithshëm institucional dhe ruajtjen e drejtimit euroatlantik të vendit, mbetet i patjetërsueshëm.