Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela thotë se me reformën në drejtësi, krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivel të lartë janë kompetencë e SPAK. Ndaj për këtë arsye, z. Çela tha se nevojitet një qartësim në opinionin publik pasi pritshmëritë janë që Prokuroria e Përgjithshme të çojë para drejtësisë emra të njohur.
I pyetur nga Ilva Tare se, kur do të ndodhë ndëshkimi i emrave të mëdhenj të krimit apo dhe ata politikës të përfolur për korrupsion, ai u përgjigj se për këtë duhet pyetur drejtuesi i SPAK.
“Për këtë duhet të pyesni z. Arben Kraja kryetar i SPAK-ut,” – u shpreh kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se është krijuar pavarësi institucionale në organin e akuzës.
Në një vend ku mungon tradita e drejtësisë, moderatorja Ilva Tare e pyeti nëse ka ndonjë mekanizëm që mund ta parandalojë tejkalimin e kompetencave mes prokurorëve.
“Një nga kompetencat që ka Prokurori i Përgjithshëm është që të referojë raste për shkelje disiplinore Inspektorit të Lartë të Drejtësisë […] kemi krijuar sektorin e monitorimit që do të monitorojë shkeljet e prokurorëve dhe oficerët e policisë gjyqësore, informacionet që mbledhim janë administrative dhe i çohen inspektorit dhe kështu ndihmojmë Inspektoratin me synim përmbushjen e detyrave që ai ka,” – shpjegoi z. Çela.
Gjatë intervistës, z. Çela tha se sfida kryesore e Prokurorisë së Përgjithshme mbetet rritja e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, te prokurorët dhe gjyqtarët.
“Nëse do të arrijmë t’i bëjmë të rinjtë të kenë ambicien dhe të jenë krenarë nëse bëhen prokurorë apo gjyqtarë do të kemi arritur shumë,” – tha z. Çela i cili i pyetur se përse vonoi për të dalë në një intervistë në media, shtoi se daljet publike janë modeli i një qasje që shpesh ka sjellë zhgënjime.
Z. Çela thotë se, nuk ka qenë aspak e lehtë detyra në krye të institucionit të akuzës pasi puna e tyre u kondicionua nga tërmeti dhe pandemia.
Kryeprokurori thotë se, ka inkurajuar prokurorët që të kryejnë hetime të thelluara për të nxjerr përpara drejtësisë përgjegjësit pë viktimat e 26 nëntorit. Z. Çela tha se nga bisedat me prokurorët ka mësuar mangësitë në bazën ligjore të ndërtimeve.
“Hetimet kanë vijuar, një pjesë e tyre kanë përfunduar por është një numër shumë i lartë hetimesh që vijojnë kryesisht në Durrës dhe më pas mund të kalohet dhe në rekomandime për bazën ligjore”, tha ai.
Duke folur për reformën në drejtësi, z. Çela tha se elementi kyç i sukesesit është pavarësia e prokurorëve dhe rritja e përgjegjshmërisë. Por, ndryshimi skemës së funksionimit duket se ka sjellë disa probleme.
“Vijmë nga një kulturë hierarkike dhe e centralizuar. Është e vështirë të ndryshosh kulturën e punës dhe ndaj ishte e domosdoshme nxjerrja e akteve”, tha z. Çela.
I pyetur nga Ilva Tare nëse ka pasur ndërhyrje apo presion në punë e tij në 9 muaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshëm, z. Çela u përgjigj kështu:
“Patjetër që jo. Sepse qasja që Prokurori i Përgjithshëm ka në raport me ligjin është që askush të mos tentojë që të ndërhyjë në punët e një organi të pavarur.”