“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Cilat janë simptomat e sëmundjeve reumatizmale?
Mjeku: Kur themi sëmundje reumatizmale, kemi parasysh një numër shumë të madh sëmundjesh të cilat mund t’i ndajmë në katër grupe kryesore:
Sëmundjet inflamatore të kyçeve, si: Artriti Reumatoid, Spondiliti Ankilozant, Artriti nga kristalet etj. Sëmundjet autoimune të indit lidhor, si: Lupusi, Vaskuliti, Sklerodermia, Sindromi Sjogren etj.
Sëmundjet e metabolizmit të kockës dhe kërcit, si: Osteoartriti dhe Osteoporoza.
Sindromat e dhimbjeve të lokalizuara apo të gjeneralizuara, p.sh.
Dhimbjet e mesit, supit, Fibromialgjia etj.
Në të shumtën e rasteve, këto sëmundje zbulohen me vonesë, për arsye që lidhen kryesisht me mentalitetin e njerëzve se sëmundjet reumatizmale fillojnë gjithmonë
me dhimbje kyçesh dhe së dyti sëmundjet reumatizmale janë të pakurueshme.
Sëmundjet reumatizmale prekin të gjitha organet dhe jo vetëm kyçet.
Për shkak se shenjat e tyre mund të imitojnë shumë sëmundje të tjera, pacientët drejtohen në mjekë të specialiteteve të tjera.
Për shembull, sëmundjet reumatizmale imitojnë pothuajse të gjitha sëmundjet e lëkurës, si: ekzema, psoriaza, infeksionet herpetike etj., dhe pacienti shkon te mjeku dermatolog.
Disa pacientë kanë probleme me gjakun si anemi apo ulje të rruazave të bardha. Abortet pa shkak mund të jenë një tjetër shenjë e këtyre sëmundjeve duke i drejtuar pacientët
te gjinekologu.
Në këtë mënyrë duke shkuar sa në një specialist te tjetri, pacienti me sëmundje reumatizmale vonohet në diagnozë. Diagnostikimi i hershëm i tyre është çelësi i suksesit të trajtimit të sëmundjeve reumatizmale.
Është e vërtetë që këto sëmundje janë kronike dhe nuk zhduken, por me diagnostikimin e hershëm dhe me fillimin e mjekimit pacienti bashkëjeton me sëmundjen duke bërë jetë normale pa dhimbje dhe pa dëmtime të parikthyeshme në organe.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.