MENU
klinika

Kush e ka lexuar Fishtën???

Dekorimi i Avni Rustemit, Bogdani: Killer me pagesë, Xhufi: Na shpëtoi nga Esati!

02.10.2020 - 16:24

       Dekorimi i Avni Rustemit, nga Presidenti i Republikës, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, me motivacionin: “për aktin e tij të lartë patriotik që kreu 100 vite më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes së pavarësisë e të sovranitetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali”, ka ngjallur reagime. Një pjesë e madhe e komunitetit tiranas, ka dalë kundër vlerësimit, duke qenë se për ta, akti i Avni Rustemit, është akt terrorist.

Mirela Bogdani, shoqata “Tirona Intellectum”, deklaron se në dekorim ka terma komuniste dhe se “asgjësimi” ishte akt terrorist. Bogdani e cilëson Avni Rustemin, “killer me pagesë” dhe thotë, se dekorimi promovon vrasjen.

Krejt ndryshe e sheh çështjen historiani Pëllumb Xhufi, për të cilin, ai që komuniteti e sheh si “killer me pagesë”, është patriot.

“Unë e miratoj dekorimin dhe dedikimin që i bëri presidenti. Avni Rustemi idealist, ndërsa Esati njeri i kulisave”. Xhufi gjykon se, për të kuptuar Avni Rustemin, duhet ditur se kush ishte Esat Pasha, për çka përmend faktin që varri i Esat Pashës është në varrezat e serbëve dhe nderohet nga ministrat serbë.

Prej vitesh, qasja ndaj Esat Pashë Toptanit, ka qenë e ndryshme. Aktet e tij, që qenë cilësuar si tradhti, janë rrekur të shpjegohen, ndonëse për të, mendimet nuk janë unifikuar kurre.

“Esat Toptani, nuk është tradhtar siç̧ e tregon historiografia komuniste dhe Avni Rustemi nuk është hero, madje vrasja e Esatit prej tij, është një njollë” – thotë Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirona Intelectum”.

Për Pëllumb Xhufin, situata në të cilën, Rustemi ndërmori aktin ekstrem, ishte tejet komplekse.

“Kur u krye atentanti, Esati po i bënte gjëmën vendit, në Paris. Esati kishte cunguar vendin dhe kishte unifikuar me serbët, doganat e përfaqësitë diplomatike” – thotë historiani.

Ato që janë qëndrimet e historianëve, nga kryetarja “Tirona Intelectum”, shihen si këndvështrime komuniste.

Për Xhufin, Esat Pasha ndërsa gjendej në Paris, po organizonte një kryengritje në Shqipëri, që do te rrëzonte qeverinë e Lushnjës, që t’i hapte udhë, planin të tij me serbët.

Por, si mund të lexohet sot, politikisht, një akt i tillë, në një luftë që përtej kufijve të shtetit shqiptar, ishte edhe përplasje politike?

Për Bogdanin, motivacioni është skandaloz, ndërsa për Xhufin, eliminimi është një formë ekstreme e luftës politike.

Xhufi i ndan kohët me njëra-tjetrën, kur është fjala për mesazhin që jep sot dekorimi i Avni Rustemit. “Avniu djalë i mësuar, ndërsa Esati njihte vetëm paranë” – thotë historiani.

Ndonëse vrasja e pashait ishte e 100 viteve më parë, siç thotë Xhufi, paralelizmat nuk mungojnë.

Për Bogdanin, dekorimi i Avni Rustemit për vrasjen e Esat Pashës, jep mesazhin e pushkës për kundërshtarin.

Megjithëse historia e këtyre dekadave i ka trajtuar këto të dhëna për dy figurat historike, dasitë e dy qëndrimeve janë kryekëput të ndryshme, deri në kërkesën për heqjen e përmendores së Avni Rustemit.

Bogdani thotë, se shoqata e saj, kërkon të hiqet busti i Avni Rustemit, ndërsa Xhufi, shprehet se tiranasit duhet të gjejnë referencë tjetër, jo Esatin, pasi mes Toptanasve, ka pasur shumë patriotë, madje Esati, është eksepsion.

Kur pyetet për termin “asgjësimin e armikut të brendshëm” si motivacion dekorimi, Xhufi, thotë se në luftë gjërat janë më të thjeshta.

Megjithatë, dekorimi për një vrasje, për Xhufin nuk promovon vrasjen e kundërshtarit sot. “Dekorimi i Avni Rustemit, nuk promovon vrasjen. “Shqipëria sot ka integritet, veç kur e shesin…” – thotë Xhufi.

As për Avni Rustemin, as per Esat Pashën, nuk duket të ketë një mendim të unifikuar së afërmi. Liria na jep të drejtën të mendojmë ndryshe edhe kur dasitë janë mbi heronj e tradhtarë.

Nga At’ Gjergj Fishta: Ceremonia e varrimit të Avni Rustemit

E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të» historis s’tyne, kan muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kan mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnm, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.
Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të miren lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës dikue i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!
Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne. Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipnin e desht me gjith fuqin e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej diq, shkoj, mbaroj.
Mbaroj thashë?…Më paska pasë rrshitë goja pahiri;pse Avni Rustemi s ka mbarue. Edhè aj jeton nder né edhè ka per të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr. Fjal drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrola arit, hkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët neper hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari qe thau të rijtë e tij, per në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avrnu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frangdo t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipma mbarë?
Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.
Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.
O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.
O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që po kjé se âsht kush nder ju, që me nder dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîs, ta mbushë strajcën pikë e per maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotvet të gjakut.
O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës sëfrytë me i lanun dalë.
O zemërplasun prindet e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kjenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lan, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes per Avniun e vet.
Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhc m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja :e ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.
Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!

(Rev. “Afrimi”, vjeti II, maj 1924.Vlorë)
Át Gjergj Fishta: “PROZA” vëllimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane, Shkodër, 2006, f.135-139.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Dëshmitë kontraverse mbi aleancat me fqinjët"

Letra e kryeministrit francez për Esat Pashë Toptanin


“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët