Miratohet rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë. Vendimi u mor sot në Këshillin Kombëtar të Punës, ku e pranishme në mbledhje ishte Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj në KKP vlerësoi, se Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar më tej kulturën e dialogut social.
“Përfshirja e Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas edhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Punës, shenjë e angazhimit në kuadër të përgjegjësisë sociale, u shpreh Ministrja, duke theksuar, se legjislacioni i punës përcakton kornizat ligjore dhe institucionale për dialogun social trepalesh, bisedimet kolektive dhe zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve të punës”.
Rritja e pagës minimale ka qënë gjithmonë iniciativë e Qeverisë, në kuadrin e “Pagës së Denjë” për “Punë të Denjë”, duke patur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatave, ndërkohë që “përgjegjësia sociale” e biznesit për punën e denjë, është e matshme, përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërisht me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore. “Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %, tha Ministrja , duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”.
Diskutimet më pas u përqendruan në informimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi masat e marra nga Qeveria për mbështetje financiare për punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë periudhës së shkaktuar nga pandemia Covid – 19, informimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi masat e marra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe informim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për masat e marra për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor.
Ministrja Denaj gjatë kësaj mbledhjeje i kushtoi vëmendje zbatimit të legjislacionit të punës, veçanërisht për kohën e punës dhe pushimit. Lidhur më këtë një prezantim të detajuar për anëtarët e KKP-së, dha Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.