Banorët e fshatrave të thellë të Dropullit të Sipërm duhet të udhëtojnë për orë të tëra në këmbë për të arritur në qendrën e njësisë administrative pasi transporti publik nuk funksionon për këto fshatra.
Që prej Janarit të vitit 2017 bashkive ju hoq e drejta për liçensimin e subjekteve të transportit të udhëtarëve dhe këtë kompetencë e mori Ministria e Transporteve që në atë moment vetëm sa e pezulloi por nuk i dha asnjë zgjidhje transportit. Bashkia u detyrua të rifreskojë kontratat e agjensive lokale në kundërshtim me ligjin pasi argumentoi se për rastin e saj zgjidhja duhej të ishte specifike.
Me gjithë përplasjet deri në konflikte fizike mes agjencive dhe ndërhyrjes së policisë për të zbatuar ligjin asnjë palë ende nuk po jep zgjidhje për problemin e thjeshtë të këtyre banorëve. Ata kërkojnë transportin nga fshatrat e tyre drejt Gjirokastrës pa qenë të detyruar të ecin më këmbë e më pas të ndryshojnë disa mjete për një distancë që nuk i kalon 30 km.