Vendet evropiane kanë filluar të mbyllin dyert për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar pas zbulimit të një lloji me përhapje të shpejtë të Covid-19 në Angli.
Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje anëtarëve të saj në Evropë të shtonin masat, vendet përfshirë Francën, Gjermaninë, Irlandën dhe Holandën njoftuan ndalimet e udhëtimeve nga Mbretëria e Bashkuar.
Franca tha se po pezullonte transportin e pasagjerëve dhe të mallrave për 48 orë nga mesnata dhe se kjo kohë do të përdoret për t’u dakordësuar mbi një regjim të ri testimi, në bashkëpunim me partnerët e saj të Bashkimit Evropian.
Gjermania, e cila po pezullon fluturimet nga mesnata e së Dielës, nuk e ka zbuluar ende llojin e ri por po i merr raporte nga Britania e Madhe “shumë seriozisht”, tha ministri i saj i shëndetësisë Jens Spahn.
Një burim i qeverisë gjermane i tha AFP se kufizimi mund të miratohet nga të 27 anëtarët e BE dhe se vendet po diskutonin gjithashtu një përgjigje të përbashkët mbi lidhjet detare, rrugore dhe hekurudhore me Britaninë. Belgjika po pezullon gjithashtu fluturimet dhe mbërritjet e trenave Eurostar nga Britania që nga mesnata. Kryeministri, Alexander De Croo, tha se ndalimi fillimisht do të ishte në fuqi për të paktën 24 orë.
Ministri i jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha se qeveria kishte vendosur të vepronte pasi Mbretëria e Bashkuar ngriti alarmin për mutacionin e ri. “Si qeveri ne kemi për detyrë të mbrojmë italianët dhe për këtë arsye, pasi të kemi paralajmëruar qeverinë britanike, ministria e shëndetësisë do të firmosë një dispozitë për pezullimin e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar,” tha ai. “Prioriteti ynë është të mbrojmë Italinë dhe bashkatdhetarët tanë.”
Di Maio nuk ofroi më shumë detaje, por fluturimet që mbërrijnë në Itali nga Britania e Madhe të dielën nuk mendohet të preken. Austria po planifikon gjithashtu të ndalojë fluturimet, por është ende duke punuar mbi detajet.
Ndalimi nga Holanda, i cili hyri në fuqi nga 6 e mëngjesit me orën lokale të dielën, do të zgjasë deri në 1 Janar. Irlanda do të vendosë kufizime për fluturimet dhe anijet nga Britania, që nga mesnata, ndërsa Bullgaria po pezullon fluturimet nga dhe për në Britani, nga mesnata deri më 31 janar. Rumania gjithashtu tha se ndaloi të gjitha fluturimet për dhe nga Britania për dy javë duke filluar të hënën pasdite.
Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti një telekonferencë me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe shefat e BE, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel në lidhje me çështjen.
Qeveria spanjolle tha se i kishte kërkuar Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të dilnin me një “përgjigje të përbashkët, të koordinuar” ndaj situatës, por se “do të vepronte në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të qytetarëve spanjollë”. Komisioni Evropian nuk ka thënë nëse ndalimi i udhëtarëve nga MB do të rekomandohej për të gjitha vendet e BE.
OBSH tha se ishte në kontakt të ngushtë me zyrtarë britanikë dhe se jashtë Britanisë së Madhe nëntë raste të llojit të ri të virusit, ishin raportuar në Danimarkë, një në Holandë dhe një në Australi. “Në të gjithë Evropën, ku transmetimi është intensiv dhe i përhapur, vendet duhet të dyfishojnë qasjet e tyre të kontrollit dhe parandalimit,” tha një zëdhënëse e OBSH-së për Evropën.
Nëse do të vazhdonte deri në janar, ndërprerja e udhëtimit mund të përkeqësojë problemet e transportit të shkaktuara nga Brexit ndërsa Britania largohet nga tregu i përbashkët i BE-së, i cili garanton lëvizjen brenda kufijve të saj.
Izraeli, gjithashtu, vendosi masa të reja të dielën, duke ndaluar hyrjen për shtetasit joizraelitë që mbërrijnë nga Britania e Madhe, Danimarka dhe Afrika e Jugut, duke përmendur frikën rreth varianteve të Covid. Qytetarët izraelitë që mbërrijnë nga ato vende do të duhet të hyjnë në izolim në hotelet shtetërore të karantinës deri në 14 ditë. /Bota.al/