Kryeministri Edi Rama deklaron se të premten do të vijnë 38 mijë e 400 doza të vaksinës së AstraZenecas. Teksa deri tani janë vaksinuar mjekë dhe infermierë dhe një pjesë e të moshuarve shqiptarë me vaksinat e ardhura nga Pfizer/Biontech, Rama shkruan se me dozat e AstraZenecas do të nisë menjëherë vaksinimi i mësuesve.
“LAJM I MIRË
Pasnesër mbërrijnë 38 400 DOZAT E PARA TË VAKSINËS ASTRAZENECA dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, shkruan Rama.
Vaksina e AstraZenecas është zhvilluar nga Universiteti i Oxfordit. Kjo vaksinë ka 63.9 për qind efikasitet kundër sëmundjes COVID-19, sipas analizave preliminare, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka rekomanduar që kjo vaksinë të përdoret.
Kjo vaksinë administrohet me dy doza. OBSH-ja thotë se vaksina shfaq më shumë efikasitet kur intervali kohor nga doza e parë te doza e dytë është më i gjatë.
Vaksina e Universitetit të Oxford-it dhe kompanisë farmaceutike britanike, AstraZeneca rekomandohet të merret nga mosha 18 vjeçe dhe sipër.