Punësimi i të rinjve por edhe investimet e mëtejshme do të transformojnë ekonominë në Korçë në mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Ky ishte premtimi i drejtuesit politik të PS-së në Qarkun Korçë në takimet që ka zhvilluar në njësitë Administrative Drenovë dhe Mborje.
Peleshi tha vende me potencial turistik si Drenova duhen mbështetur, për të kthyer investimin fillestar në ekonomi lokale.“Korça është bërë destinacioni kryesor i fundjavës në të gjithë Shqipërinë.
Në këtë katër vjeçar nuk do të na falet nëse nuk do ta ngremë Drenovën atje ku duhet. Nuk mungojnë burimet e financimit. Këtu në Drenovë mund të ndodhë e njëjta gjë me pazarin e Korçës. Mjafton të nxitim dy tre më të guximshmit, ti mbështesim. Është hapur thirrja për agroturizmin deri në 100 milion lek. Sot jemi në momentet kur më shumë se kurrë duhet të investohet. Ne duhet ta kthejmë në një fshat turistik, tani historia duhet të na kthehet në ekonomi lokale”, tha Peleshi nga Drenova.
“Jemi të vendosur për punën për atë çfarë do të bëjmë. Unë kam qënë vetë kryetar bashkie dhe kemi luftuar me një qeveri që nuk bënte asgjë. Tani janë bërë shumë punë, siç ishte qendra shëndetsore dhe uji i pijshëm. Tani kemi një tjetër çështje, atë të punësimit, mundësi punësimi kryesisht të të rinjve. Në Korçë sektori privat kanë punësuar shumë të rinj, jemi në rrugën e zhvillimit, na duhet vota juaj të ecim përpara mos të ecim mbrapa. Ata që janë përballë nesh janë problemi, ata na i kanë shkaktuar të gjitha problemet me të cilat jemi përballur. PS i vlerëson njerëzit që punojnë.”- theksoi Peleshi përballë banorëve në Mborje.