MENU
klinika

Mustafa Nano

Bajlozi i zi, monstra Edi Rama dhe puritanët e PD me Berishën në krye, që duan të çlirojnë Shqipërinë nga kjo e keqe

27.03.2021 - 10:28

Nga Mustafa Nano*

Opozitarët shqiptarë në këtë fillim fushate janë nervozë. Ky është një vëzhgim që e kam bërë edhe herë të tjera, dhe unë këmbëngul: ata janë nervozë. Ata nuk po krijojnë dot një klimë fitoreje. Në të vërtetë, ata janë bërë bashkë, duket që janë bërë bashkë, por në të njëjtën kohë është e dukshme se nuk ndihen mirë; nuk ndihen se janë në gjendje të mbjellin në shoqërinë shqiptare në këtë moment farën e ndryshimit.

Edhe udhëheqësi i tyre, Lulzim Basha, që këto zgjedhje i ka marrë shumë seriozisht, më seriozisht se çdo gjë tjetër në jetën e vet, sipas sondazheve, edhe ai nuk po arrin të ngjizë një lloj kimie midis tij nga njëra anë dhe shumicës së shqiptarëve nga ana tjetër.

Dhe nuk mbaron këtu. Tetë vite në opozitë të shoqëruara edhe me perspektivën e një katërvjeçari tjetër në opozitë, që nga ana tjetër mund të pjellë edhe një katërvjeçar tjetër në opozitë, i bën nervozë opozitarët. Për rrjedhojë, opozitarët bëhen nervozë edhe për faktin se në skenarin e humbjes, brenda Partisë Demokratike do të lindë patjetër një diskutim i fortë, madje i shoqëruar me konflikte midis palëve. Ky diskutim mund të bëhet shkak për një harakiri të Partisë Demokratike, e cila edhe mund të shkrihet fare.

Në këto rrethana, opozitarët janë duke bërë një numër gabimesh, por unë mendoj që gabimi i tyre më i rëndë ka të bëjë me faktin që ata po përpiqen ta trajtojnë garën elektorale si një luftë për jetë a vdekje. Ata po përpiqen ta shohin 25 prillin si ditën e ndeshjes finale. Për këtë kanë ndërtuar edhe një narrativë të caktuar, narrativën e të keqes që ka pllakosur në këtë vend, narrativën e Shqipërisë që në këtë moment po përjeton momentin më të vështirë dhe më dramatik të hoistorisë së vet. Dhe opozitarët shqiptarë e besojnë këtë gjë.

Tonet e tyre janë tone vajtimi. Kjo duket e nënkuptuar në mesazhet që ata përcjellin: “Oi, oi oi… ç’na ka gjetur!” Ky është mesazhi që ata përcjellin. Dhe këto tone vajtimi lidhen më së shumti me bindjen e tyre se përballë nuk kanë një kundërshtar të zakonshëm, por kanë një monstër, një përbindësh, një kuçedër, bajlozin më të zi që mund të imagjinohet. Prandaj ai njeri duhet mundur me çdo kusht. Nuk ka alternativë tjetër. Një mandat i tretë i Edi Ramës do të ishte fundi i fundit të fundit të Shqipërisë.

Kjo është një narrativë e dëshpëruar. Por në të njëjtën kohë, unë mendoj se është edhe e gabuar, e padrejtë dhe që nuk i vlen opozitës e opozitarëve. Është e vërtetë që prej kësaj narrative do të mobilizohen të gjithë opozitarët anembanë, por për shkak të po kësaj narrative do të mobilizohet edhe pala tjetër. Dhe ne e dimë se ç’ndodh në rrethanat kur palët mobilizohen në maksimum. Në këto rrethana të fituar janë socialistët, ndërsa demokratët janë të humbur. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, të natyrës aritmetike: socialistët janë më të shumtë në numër.

Kjo nuk është një narrative e re, që ka lidhje me këto ditë, por ajo është ndërtuar nga demokratët vite më parë, dhe mbi bazën e saj kanë ndërtuar gjithë aksionin opozitar, madje nëpërmjet saj kanë synuar ta legjitimojnë atë aksion opozitar. Veçanërisht e kanë përdorur për t’i dhënë kuptim dy vendimeve më të rëndësishme të kësaj partie, të cilët janë vendime pa precedentë në historinë e botës demokratike. Dhe kjo e fundit duhet të merret si e tillë fjalë për fjalë, mund të konsultoheni me të gjitha enciklopeditë e botës. Vendimet për djegien e mandateve dhe për bojkotimin e zgjedhjeve janë vendime janë pa precedentë.

Është për të ardhur keq që në momentin kur u morën këto vendime nuk u ngrit asnjë zë nga Partia Demokratike, e madje edhe nga bota opozitare, që të kontestonte dhe t’i drejtohej Lulzim Bashës duke i thënë: “Ej, gringo! Mos e merr këtë vendim! Udhëhiqe si të duash opozitën, por mos shko deri në këtë pikë, sepse djegia e mandateve është absurde.” Por ata nuk e bënë këtë gjë.

Ata bënë të kundërtën: e mbështetën Lulzim Bashën në përpjekjet për ta marrë këtë vendim. Madje ata e nxitën atë, sepse e konsideronin këtë një vendim shumë inteligjent, një ide gjeniale e cila do ta vinte maxhorancën me shpatulla pas murit, sipas së cilës kjo e fundit ose do të duhej të dorëzonte pushtetin në tavolinë, ose do të duhej të përballej me protesta të mëdha në rrugë, ndoshta edhe me një luftë civile.

Ata shpresonin se socialistët do të bënin zgjedhjen e parë dhe do të dorëzonin pushtetin. Për fat të mirë, ata nuk e bënë këtë gjë. Unë kam rastin të them diçka: Jam krenar që kam marrë pjesë në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, që janë zgjedhjet më të shëmtuara në historinë pluraliste të Shqipërisë. E megjithatë, unë kurrë nuk jam ndier kaq krenar për një gjest timin publik sesa fakti që unë mora pjesë në ato zgjedhje të shëmtuara.

Është edhe një përthyerje tjetër e narrativës e cila ka të bëjë me përpjekjet e opozitarëve për ta interpretuar garën elektorale si një garë morale, si një garë midis të mirëve, që janë ata vet, dhe të këqijve që janë socialistët. Por sipas meje kjo nuk vlen. Partia e Berishës e ka humbur të drejtën për të bërë beteja morale në këtë vend. E vërteta është që të gjitha partitë shqiptare e kane humbur këtë të drejtë dhe do të bënin mirë të na i kursenin betejat morale.

E përmend partinë e Berishës në këtë rast, sepse janë ata që po e bëjnë një betejë të tillë. Të shohësh berishianët në vitin 2021 që ngrenë zërin kundër vjedhjes së zgjedhjeve, kundër korrupsionit, apo kundër përpjekjeve për të instaluar ndonjë regjim, të vret sytë. Është njësoj sikur të shohësh Enver Hoxhën të ringjallet dhe të fillojë të kapet me zell pas kauzës së tregut të lirë kapitalist, apo pas kauzës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Opozitarët do të bënin mirë të hiqnin dorë nga kjo narrativë, sepse sipas shumicës së sondazheve është një narrativë që nuk funksionon, që nuk ngjit e nuk jep frute për ta. Mirëpo, frika ime është se nëse ata heqin dorë nga kjo narrativë, demokratët nuk do të kishin se ç’të thoshin më.

Demokratët janë mësuar me diçka: sa herë që janë në opozitë e vetmja gjë që dinë të bëjnë, është të denoncojnë mafien në pushtet, dhe praktikat e abuzimit me pushtetin. S’ka problem fakti se kur ata kanë qenë në pushtet i kanë zbatuar këto praktika. Madje një pjesë të këtyre praktikave i kanë shpikur vet. Lind pyetja: “Kjo është mënyra me të cilën ata mendojnë të fitojnë zgjedhjet më 25 prill?” Nëse është kjo, i kanë punët shumë keq.

*Monolog nga emisioni Arnautistan