Kandidatja për deputete e PS në qarkun e Korçës, Olta Xhaçka ka inspektuar punimet për lotin e dytë të aksit rrugor Korçë-Ersekë, e shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai.
Xhaçka theksoi se ky projekt i cili pritet të përfundojë shumë shpejt do ketë një impakt thelbësor për Kolonjën turistike, pasi e bën atë më të aksesueshëm me pjesën tjetër të Shqipërisë
Sipas saj, loti i dytë i këtij aksi rrugor do ta shkurtojë me më shumë se 70% distancën kohore mes Kolonjës dhe Korçës.
“Ky projekt është një simbol shumë i fortë i vëmendjes që qeveria ka, karshi Bashkisë së Kolonjës dhe qarkut të Korçës. Një projekt i cili promovon dhe ndihmon në maksimum turizmin për t’i rikthyer Kolonjës dinjitetin që ajo ka, për vetë vlerat turistike e natyrore që mbart. Projekti në fjalë ka një impakt të madh në shumë prej familjeve vendase, sepse një pjesë dërrmuese prej 200 personash që punojnë për këtë projekt janë nga zona e Kolonjës”, tha Xhaçka.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, u shpreh se po punohet me ritme të shpejta për të nisur punën edhe për lotin e tretë të këtij aksi rrugor.