MENU
klinika

“Iu zhdukën nga zyra tri dosje të rëndësishme”

Olsian Çela i kërkon ILD inspektim për prokuroren e Elbasanit

07.05.2021 - 08:57

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ka kërkuar të mërkurën Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Armanda Xhaferri në Prokurorinë e Elbasanit.

Pas informacioneve të marra për zvarritje të veprimeve procedurale në hetimin e procedimeve penale nga ana e prokurores, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar me ndjekjen dhe monitorimin e rastit. Gjatë monitorimit, janë konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Xhaferri në lidhje me funksionin e saj si magjistrate sipas nenit 102 pika 1 germa “e” të ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019. “Prokurori i Përgjithshëm mbështet të gjitha nismat që kontribuojnë në mirëfunksionimin e shërbimit të Prokurorisë në të gjitha nivelet, duke synuar rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve prokurorë gjatë ushtrimit të detyrës dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

SKANDALI ME DOSJET

Në dhjetor të vitit 2017, zhdukja e tri dosjeve, dy për pastrim parash dhe një për abuzim me fondet e një rruge, ka çuar në dyert e Policisë prokuroren e Elbasanit Armanda Xhaferri. Burime nga Policia thanë se Xhaferri, ka konstatuar se në zyrën e saj mungonin tre fashikuj, që i kishin mbërritur nga Njësia Task Forcë. Një grup hetimor i ngritur enkas për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë, ka këqyrur zyrën e prokurores Xhaferri, por nuk ka konstatuar thyerje nga jashtë. “Ka dyshime të forta” – thonë burimet policore në atë kohë – “se fashikujt janë marrë nga punonjës të kësaj Prokurorie, pa dijeninë e saj”. Burimet sqaruan se nga verifikimet paraprake rezultonte se bëhej fjalë për një konflikt të lindur mes prokurores dhe drejtuesve të institucionit të akuzës në Elbasan.

Me firmën e titullarit, prokurorja Xhaferri është transferuar në një seksion tjetër dhe sipas ligjit, duhet të bëjë dorëzimin e dosjeve që tashmë pretendohet se janë zhdukur. Para hetuesve ajo ka pretenduar se bëhet fjalë për dosjet tejet të rëndësishme dhe me impakt të lartë publik, e për këtë arsye këmbëngul që hetimin e këtyre çështjeve duhet ta vijojë ajo. Për këtë arsye, ka refuzuar të bëjë dhe dorëzimin e fashikujve, të cilët më pas nuk i ka gjetur në zyrën e saj të punës, por janë marrë prej andej nga administrata e Prokurorisë dhe i janë dorëzuar një tjetër prokurori.

Sa u përket emrave të personave që po hetohen për pastrim parash e korrupsion, burimet policore janë të rezervuara, por i paqartë mbetet konflikti i lindur në organin e akuzës. Për momentin po hetohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Zhdukja ose humbja e fashikullit”.