Në Vlorë, gjen mjaft buste për figura të shquara.
Ca prej tyre janë bërë tashmë simbol të qytetit dhe të tjerë të mbetur në hije. Në hyrje të rrugës, që të shpie të xhamia e qytetit. Në cep të ish bibliotekës së vjetër (banesa e hebrenjve) sot shkolla private Nr.1, në trotuarin e madh dhe të rikonstruktuar, befasisht përpara të del edhe busti i princeshës Donikës së Arianitëve, bashkëshortes së Skënderbeut. Ky bust duket se është vendosur, aty rastësisht./Konica.al
…Të vjen keq për vendin e zgjedhur dhe për atë krijim, që në të vërtetë duket se nuk ka ndonjë vlerë të madhe artistike. Në një cep të kësaj rruge, ky bust nuk tregon shumë për princeshën, ngase edhe specialistët shprehen se kësaj vepre i mungojnë shumë elementë.
Piktura e Roberto Gammone realizuar në vaj me përmasa 40x55cm, titulluar: ”Andronica Castriota Scnderbeg” është një kryevepër. Roberto ka lindur në Romë, Itali, në vitin 1979. Ai ka kaluar vite në trajnim duke studiuar mjeshtrit e vjetër: stilet e tyre, penelatat e tyre, skemat e tyre të ngjyrave, materialet e tyre dhe frymëzimet e tyre. Ai kërkoi për tekste letrare sesi maestrot e së kaluarës përgatisnin vajrat dhe kanavacat e tyre dhe se si ata krijuan pajisje primitive të projeksionit. Dhe pikturoi. Edhe gjatë viteve që ai ishte një artist i vendosur në instalacion, ai gjithmonë pikturon. Portretet e tij janë teknikisht të shkëlqyera, po aq të shkëlqyera sa ato që dolën nga punëtoritë shekuj më parë, por ato kapin në mënyrë koncize dhe me zgjuarsi epokën tonë bashkëkohore. Bukuria e dukshme e pikturës së tij i bën subjektet e tij të duken disi magjepsëse, të rëndësishme dhe të pashlyeshme. Punimet e tij për portrete përfshijnë personalitete publike, familje dhe fëmijë… Mirëpo le të kthemi te portreti i Andronikës… Florinda Muja shkruan ndër të tjera: Portreti në fjalë titullohet “Andronica Castriota Scnderbeg” dhe është realizuar nga artisti italian Roberto Gammone, vitet e fundit. Pra, ndonëse ka pamjen e një portreti historik, piktura është aktuale. Pikturat e të talentuarit Gammone duken njëherësh moderne dhe historike pasi ai përdor teknikë të re në pikturë, por përmbajtja ruan disa detaje të cilat zakonisht i sheh vetëm në portrete të hershme, si gravura me të cilën jemi mësuar të identifikojmë nusen e Skënderbeut. Shumë prej nesh e njohim Donikën nga imazhi më poshtë, i gdhendur nga artisti Johann Theodor de Bry në vitin 1596.
Disa nga detajet në fjalë, në portretin e Gammones, janë data e shkruar në pikturë (ndonëse 1556-ta është plot, 50 vjet pas vdekjes së Donikës), apo edhe imazhi i Donikës në profil, të dy elementë të stilit të portreteve të shekullit të 16-të. Gammone, gjithashtu i ka dhuruar interpretimin e tij edhe portretit të Skënderbeut, por ishte portreti i Donikës që pati jehonën më të fortë.”
Kur zbulon portretin e artistit italian, magjepsesh nga bukuria e princeshës shqiptare.
E para: Duhej zgjedhur një vend i përshtatshëm, ndoshta një shesh me pamje të dukshme.
E dyta: Busti ka nevojë për përmirësim, sipas një rivlerësim më të mirë nga specialistët e kësaj fushe, për ta ripunuar sërish, apo variante të tjera, që mund të zgjedhin.
… Çfarë shkruan kritiku Ilir Hivzi Muharremi, nga Prishtina:
Shtatorja tjetër e shëmtuar e cila u zbulua vitin e kaluar në qytetin e Vlorës është ajo e Donika Kastriotit, gruas së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo shtatore duket shumë qesharake, sidomos fytyra e saj, të cilën e kanë quajtur si fytyrë nga personazhi i filmit vizatimor Shrek, pra Fiona e Shrekut. Deformimet e shumta të fytyrës, paqartësi te pjesa e syve, gojës së shtrembër, qafës së gjerë e të deformuar, nxjerrë në pah një imazh qesharak dhe fyes ndaj figurës së Donikës. I mungojnë elementet e Dukeshës, princeshës. Ajo në skulpturë ka një shikim të paqartë, buzëqeshje të pa arsyeshme dhe asgjë nuk i shkon këtij personazhi. Si duket skulptori ka qenë i verbër derisa e ka punuar këtë skulpturë.
Çdo shtatore ose bust që vendoset në hapësirë publike duhet të filtrohet përmes komisionit profesional, ngaqë Shqipëria dhe Kosova po vuajnë nga kitchi i shëmtirave të skulpturave të cilat çdo muaj po krijohen nga njerëz jo kompetentë.
Ndërsa historia thotë: Andronika Kastrioti ka qenë një fisnike arbërore, e bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti dhe e shoqja e Gjergj Kastriotit.U lind në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arainitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herëMe gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës.U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës , në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:
“…Ç’dasmë që bë Araniti
Atë natë kalaja ndriti,
Kënga dhe vallja
buçiti
Çelën llamba, ndezën pisha
Plot tryeza me të
gjitha,
Mish dashi, Labërie,
Verë Parge Çamërie…”
Vargu i dasmorëve labë e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur, pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh, Naim Frashëri:
“…Dhëndëri si dielli ndriste,
Edhe nuseja që prunë,
Porsi hëna
vetëtinte,
Dritënë në dritë e shtunë…”