Deklarata e Komisionerit të Zgjerimit Oliver Varheiy për nisjen e negociatave me Shqipërinë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut punon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë ka shqetësuar Bashkimin Europian.
Ky propozim do t’i mundësonte Shqipërisë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në qershor, duke nisur kështu hapjen e kapitujve, por u hodh poshtë nga një sërë vendesh anëtare, përfshirë edhe Gjermaninë dhe Austrinë. Të dyja këto vende këmbëngulën që Maqedonia e Veriut nuk duhet të presë për bisedimet e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria të ecë përpara. Berlini dhe Viena nuk kanë tregues se si mund të ecin Tirana dhe Shkupi së bashku, nëse Bullgaria nuk heq veton ndaj Maqedonisë së veriut. Komisioni Europian bëri të njëjtën gjë, duke thënë se nuk kishte propozuar kurrë ndarjen e dy vendeve. Nëse nuk erdhi nga BE-ja, atëherë nga erdhi kjo kërkese?
Burimet diplomatike thonë për Gazetën Si së ajo që po mundohet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, duke hedhur idenë e shkëputjes nga Maqedonia e Veriut, është Hungaria. Vendi i Europës Lindore po punon prej vitesh për përparimin e procesit të anëtarësim të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar vazhdimisht se Hungaria ka interesa të mëdha politike dhe ekonomike në rajon dhe se destabiliteti i tij prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Budapestin zyrtar.
Hungaria ka qene shteti më i zëshëm kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së. Ajo është i vetmi vend i katërshes së Vishegradit që kufizon Ballkanin. Qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban ka këmbëngulur se do të kryesojë kauzën e zgjerimit të BE-së dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe u përfshi në një luftë diplomatike më Bashkimin Europian për të marrë portofolin e zgjerimit, i cili iu caktua pas një sërë përplasjesh zotit Varheliy.
Komisioneri mori detyrën duke premtuar përshpejtimin e agjendës së zgjerimit, duke deklaruar mes të tjerash se nën udhëheqjen e tij, deri në vitin 2025 vendet e para nga Ballkani Perëndimor do të bëheshin pjesë e unionit.
Komisioneri mund të ketë kuptuar se ky premtim mund të jetë i vështirë për t’u realizuar, pasi shumë vende kërkojnë vazhdimisht shtyrjen e të gjitha vendimeve që lidhen me këtë proces, por deri më tani ka bërë thirrje të vazhdueshme për nisjen e bisedimeve me vendin tonë. Diplomati hungarez njihet për marrëdhëniet e ngushta me kryeministrin Viktor Orban, i cili e propozoi atë në këtë post.
Varheliyi ishte zgjedhja e dytë e Orban për postin e komisionerit të zgjerimit pasi Komiteti i Çështjeve Ligjore i Parlamentit Europian refuzoi ish-ministrin e drejtësisë Laszlo Trocsanyi për shkak të lidhjeve të tij të dukshme me partinë në pushtet të Orban Fidesz dhe konfliktet e saj politike me Brukselin.
Nga ana tjetër, Varheliyi, nuk ishte anëtar i partisë së kryeministrit hungarez dhe nuk kishte shërbyer në kabinetin e Orban, por disa eurodeputetë vunë në dyshim pavarësinë e tij para se parlamenti ta miratonte për postin.
Diplomati i lartë duket se ishte një zgjedhje e mirë menduar nga ana e Orban pasi ai ka kaluar 25 vite duke u marrë me politikën e BE-së në Komisionin Europian dhe në ministri të ndryshme. Ai gjithashtu ka punuar për pranimin e Hungarisë në BE, eksperiencë e cila duket se po e ndihmon për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Istvan Szent-Ivanyi, ish-deputet hungarez dhe ekspert i marrëdhënieve rajonale thotë për mediat rajonale se propozimi për ndarjen e dy vendeve mund të ketë ardhur edhe për faktin se Varheliyi është i vendosur të demonstrojë disa përparime zyrtare mbi zgjerimin e rajonit.
“Varheliyi ka qenë komisioner për dy vjet dhe po kërkon përparime konkrete. Më në fund u njoftua marsin e kaluar se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u hapën, por asgjë nuk ndodhi. Që nga nëntori, Bullgaria po bllokon procesin”, thotë ai.
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, i cili vizitoi Shkupin javën e kaluar shmangu dhënien e komenteve mbi deklaratat e Varheliyi. I pyetur në një konferencë shtypi nëse deklaratat e tij të fundit korrespondojnë me qëndrimin e qeverisë hungareze, Szijjarto shkurtimisht tha se të dyja palët, si Varheliyi ashtu edhe kabineti hungarez “janë mbështetës të përkushtuar të integrimit euro-Atlantik të rajonit.
“Kryeministri bullgar Bojko Borissov i rezistoi presionit nga senatorët amerikanë dhe personalisht nga kancelarja Gjermane Merkel, për heqjen e vetos dhe nuk u dorëzua,” thotë Szent-Ivayi. “Në rrethana të tilla, e vetmja mënyrë logjike përpara do të ishte të konsiderohej hapja e bisedimeve të paktën me Shqipërinë. Në fund të fundit, ky vendim duhet të merret nga Komisioni Europian në fund të majit. Nëse Shqipëria vlerësohet e përgatitur, do të ishte e padrejtë ndaj Tiranës të presë për shkak të një mosmarrëveshjeje dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”
Hungaria, mbështetëse e Shqipërinë në rrugën e integrimit
Budapesti, por edhe vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Juglindore kanë këmbëngulur se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një domosdoshmëri për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon. Hungaria ka qenë shumë e vendosur për mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në krye të agjendës, duke u mbështetur në dy argumente kryesore, së pari solidariteti dhe së dyti siguria e Europës Juglindore.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë ka vizituar disa javë më parë Shqipërinë dhe ishte shumë i drejtpërdrejtë me mendimin e tij:
“Bashkimi Evropian duhet të fillojë bisedimet e pranimit me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Péter Szijjártó pas bisedimeve me Olta Xhaçkën në Tiranë. “Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është në sigurinë kombëtare dhe interesin ekonomik të Hungarisë që gjërat duhet të shkojnë mirë në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye ne jemi të përkushtuar ndaj integrimit europian”, shtoi ai.
Ministri do të deklaronte gjatë konferencës me Ministren Xhaçka se Hungaria po u kërkon vendeve “më pak të ndjeshme ndaj zgjerimit dhe kauzës së Ballkanit Perëndimor” si dhe Brukselit të bëjmë përparime në integrimin e vendeve të rajonit duke përmendur edhe investimet e fundit hungareze në Shqipëri.
Në vitin 2019, ministri i Jashtëm hungarez ishte po ashtu inicuesi i një letre nga katër vendet e Vishengradit ku Bashkimit Europian i kërkohej nisja e negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Duke i mundësuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëjnë hapin tjetër në procesin e integrimit, BE do të riafirmojë angazhimin e saj për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit. Dhe do të pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkani perëndimor BE do të jetë e plotë dhe interesat e saj afatgjata të mbrohen siç duhet”, thanë ministrat në një deklaratë.
Pas një sërë përpjekjesh për të përshpejtuar këtë proces, qeveria e kryeminstrit Orban ka fajësuar madje në të kaluarën Komisionin Europian se po përpiqet të parandalojë zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.
“Komisioni Europian ka penguar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke ndikuar jashtëzakonisht shumë në sigurinë dhe të ardhmen e Eropës”, do të deklaronte Ministri Szijjártó në margjinat e një takimi me homologët e tij të BE-së në vitin 2019. Szijjártó këmbënguli se “Hungaria dhe BE-ja kanë interesa ekonomike, strategjike dhe politike” për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por se unioni po bllokonte qëllimisht këtë perspektivë.
Për më tepër, edhe gjatë kohës që Hungaria kishte udhëheqjen e presidencës së Këshillit të BE, ruajti si përparësi integrimin e Ballkanit Perëndimor. Por, kur Brukseli hartoi strategjinë për perspektivën e zgjerimit në fillim të vitit 2018, Orban ishte ndër liderët më këmbëngulës në këtë drejtim, duke sugjeruar që Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e veriut dhe Serbia të merrnin pjesë në proceset e politikbërjes përpara pranimit në BE.
SI