Kandidatja për kryetare të PD, Edit Harxhi thotë se garën e ka më Lulzim Bashën dhe jo me kandidatët e tjerë. Teksa u shpreh se kreu aktual duhet të kishte dhënë dorëheqjen, ajo e ftoi atë në një debat publik.
Sipas Harxhit, në këto 8 vitë kjo forcë politike e ka humbur thelbin e saj anti-komunist. “Një nga pikat kryesore që ne nuk e kemi bërë është vlerësimi i figurës së kandidatit. Unë prandaj them se PD ka humbur thelbin e saj anti-komunist. Është një vizion i ri, i një të djathte moderne. Unë nuk do garoj kundër kandidatëve të tjerë, por kundër Bashës. Unë i bëj ftesë Lulzim Bashës dhe kandidatëve të tjerë, i ftoj në një debat publik, ata, Lulzim Basha ta zgjedhë forumin, median, strukturën e partisë, për të dalë me një debat dhe për tu ballafaqur se kush është vizioni jonë për PD”, u shpreh Harxhi për News24.
SI MUND TE STRUKTUROHET PD
Harxhi, teksa foli për tre mënyre si mund të strukturohet Partia Demokratike dhe edhe arsyet përse demokratët duhet ta votojnë atë për të drejtuar të djathtën shqiptare.
“Ne tentuam të kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të partisë. PD ka dy vjet që është jashtë parlamentit dhe pushtetit lokal. Këto kanë qenë kosto, së bashku me kostot e një marrëveshje në 5 qershor. Garancitë e Bashës nuk pijnë më ujë. Për këtë arsye në kërkojmë një reformim të thellë nga themelet. Ka ardhur momenti që të strukturime partinë nga themeli.
Opozita shqiptare, por edhe politika shqiptare ka nevojë për një klasë të re politike. Çfarë mund të shohin demokratët tek unë. Duhet të shohin një grua që e ka filluar 18 vjeç këtë lëvizje. Unë qëndroj në idealet e lëvizjes studentore. Tek unë shohin dikë që ka qenë besnike e PD, dikë që ka avantazh marrëdhëniet ndërkombëtare. Pika ime më e fortë do të jetë kthimi i PD në idealet e viteve 90-të. Ajo duhet të riformatohet. PD duhet të strukturohet në tre forma:
1-Në formë ideologjike
2-Në qendër, në brendësinë e saj
3-PD ka nevojë për një ristrukturim të plotë në përmbajtje.
Duhet të jetë ngritja e vlerave në radhë të parë. Por ajo që nuk u bë në këto vite është hapja dhe afrimi i çdo kontributi demokrat”, tha ndër të tjera Edit Harxhi.