“Është koha që Bashkimi Evropian të mbaje premtimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Kështu thotë ministri gjerman për Evropën Michael Roth, i cili sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup.
Në një postim në Twitter, ai ka shkruar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane.
“Ka ardhur koha që BE të mbajë premtimet për të nisur bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane – të veprojmë tani me vendosmëri, që të mos ketë dyshime më vonë për të”, ka shkruar Roth.
Shqipëria është në pritje të datës së mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Komisioni Europian pritet të japë dritën jeshile për mbajtjen e konferencës me Shqipërinë në qershor, por nuk ka konfirmuar ende nëse do të mbahet edhe me Maqedoninë e Veriut.