Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla në një deklaratë për mediat tha se Konferenca e Kryetarëve vendosi që seanca e Kuvendit për shkarkimin e Metës të zhvillohet në 9 qershor, në mënyrë që deputetët të marrin kohën e duhur për shqyrtimin e çështjes.
“Deputetët e Kuvendit do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Kemi rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve që seanca plenare të zhvillohet në 9 qershor, ora 10:00. Kur kemi dakordësuar edhe me kryetarët e grupeve të tjera parlamentare për kohën e diskutimeve. Për të pasur pastaj me shkarkimin. Kushtetuta është e qartë për procedurën”, tha Balla.
I pyetur mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, kreu i grupit parlamentar të PS tha: “Kjo nuk ka të bëjë me mua, as me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë. Kushtetuta është e qartë që Kuvendi e përfundon procedurën e tij në 9 qershor, dhe më pas është Gjykata Kushtetuese që do të vlerësojë nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë shkelje të rënda kushtetuese. Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë çështje deri në momentin që do shprehet Gjykata Kushtetuese, që është një institucion i pavarur. Duhet të mësohemi që vendimet e gjykatave janë të formës së prerë dhe nuk komentohen nga politikanët”, u shpreh ai.
I pyetur se si do të veprojë mazhoranca nëse Kushtetuesja nuk do të shprehet deri në shtator, Balla deklaroi: “Kushtetuta është libri i detyrueshëm për tu zbatuar nga gjithëkush. Presidenti i Republikës në fund të muajit gusht është i detyruar të thërrasë seancën e parë të Kuvendit. Nëse nuk e ushtron, Kuvendi vetëmblidhet, i bie të mblidhet në 9 shtator. Besoj që jeni në dijeni që PS po vazhdon procesin e përgatitjes për këtë mandat të ri qeverisës. Do thërrasim Asamblenë Kombëtare dhe në 12 qershor do kemi edhe Kongresin e PS-së dhe do miratojmë programin qeverisës 2021-2025”.
Sa i takon emrit të kandidatit të ri për president Balla tha se do të bashkëpunohet me opozitën për procedurën e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit aktual si një nevojë për të pasur një përfaqësues në institucionin e Presidencës. Por ka ardhur si nevojë për ta çliruar Presidencën nga një pengmarrje dhe një abuzim i presidentit. Procedura të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën e re që do të kthehet në Kuvend në 9 shtator”, vijoi ai.