Nëse futbollistët nuk duan të largohen apo të shkojnë në një tjetër skuadër, atëherë kanë si detyrë që të pranojnë uljen e menjëhershme të pagës.
Ky ka qenë pak a shumë ultimatumi i klubit të Barcelonës për një pjesë të futbollistëve. Në bisedimet e para për të ulur rrogat, fillimisht me ish-presidentin Bartomeu dhe pastaj me drejtuesit e përkohshëm, pati momente tensioni brenda dhomave të zhveshjes.
Edhe tani ka diferenca mes disa futbollistëve. Peshave të rënda në klub nuk iu pëlqen fakti që secili lojtar e diskuton veç e veç kontratën e tij. Ata janë të mendimit se bashkëpunimi duhet të jetë në grup dhe të ketë një kusht për ulje të pagave në sasi të njëjtë.
Duan që të gjithë të jenë në një anë. Është e vërtetë që kontratat e çdo lojtari janë secila një botë më vete dhe duhen analizuar një nga një për të arritur në përfundim, por senatorët mendojnë se duhet të ketë të njëjtat kushte për të gjithë grupin.
Në sezonin e kaluar pati diskutime të shumta në dhomat e zhveshjes, sepse disa futbollistë bënë luftë secili për interesat e tij. Dikush u ndje edhe i tradhtuar, sepse lojtarët arritën marrëveshjet pa folur me njëri-tjetrin.
Pati diskutime të shumta vetëm dy ditë pas rinovimeve të Lenglet, De Jong, Ter Shtegen dhe Pique. Bartomeu e dinte që skuadra ishte në vështirësi të mëdha dhe për këtë arsye ai nxitoi që të fliste me disa lojtarë dhe të ulte rrogat e futbollistëve deri në 70%.
Situata ekonomike nuk ka ndryshuar as tani dhe për këtë arsye, presidenti Laporta është duke bërë gjithçka që të gjejë gjuhën e përbashkët. Por çështja e rrogave është gjithmonë delikate dhe është shumë e vështirë që të zgjidhet kaq shpejt.
Lojtarët duhet të marrin garanci që do të qëndrojnë te Barcelona për të ulur rrogat. Messi ka pranuar në parim përgjysmimin e pagës, plus muajin korrik nuk do të paguhet se nuk ka kontratë.