Një filozof i shkëlqyer. Një besimtar i vërtetë. Një eksplorues i guximshëm i skutave më të errëta të mendjes njerëzore. Njeriu që konceptoi ekuacionin letrar më të famshëm në botë – “Krim dhe ndëshkim”. Njëqind e dyzet vjet pas vdekjes, Fjodor Dostojevski vijon të jetë jo vetë burim krenarie kombëtare në Rusi, por edhe një magnet për bibliofilët anekënd botës./Konica.al
“Dostojevski është kalorës shkretëtire me shigjeta të përthyera. Ku godet shigjeta e tij, pikon gjak. Dostojevski jeton brenda nesh. Muzika e tij nuk do të vdesë kurrë”, – shkruan Vasili Rozanov, një nga filozofët rusë të shekullit të 20-të në 1912.
- Psikolog
Dostojevski (1821-1881) e eksploroi psikikën njerëzore me themel, tamam si Kristofor Kolombi eksploroi Amerikat. Konsiderohet shkrimtari i parë që arriti të depërtojë edhe në honet më të thella të shpirtit të trazuar rus. Romanet e Dostojevskit popullohen nga personazhe plot zemërim dhe mjerim. Gjatë gjithë jetës e intriguan shfrytëzimet e mendjes njerëzore, madje secili prej romaneve kryevepra, përfshi “Vëllezërit Karamazovë”, “Krim dhe ndëshkim”, “Idioti”, “Djajtë” dhe “Gambler” në thelb janë një orientim hyrës i psikologjisë. Personazhet, në përgjithësi, janë emocionalisht të dërrmuar dhe mendërisht të vrarë. Ata vuajnë nga faji (Rodion Raskolnikov) dhe ankthi (Mitya Karamazov), xhelozia (Parfyon Rogozhin) dhe lakmia (Ganya Ivolgin), mirësia dhe vetëvlerësimi i ulët (Princi Myshkin), apo mungesa e dashurisë (Sonechka Marmeladova). Megjithatë, ata janë gati të kapërcejnë ferrin emocional në kërkimi të lirisë morale dhe drejtësisë kozmike.
“Çfarë është ferri? Unë pohoj, se është vuajtja e të qenit i paaftë për të dashur”, – shkruan Dostojevski te “Vëllezërit Karamazovë”. Shkrimtari i famshëm i përdori dobësitë e personazheve të tij, për të shpjeguar natyrën metafizike të botës, njëlloj si Isak Njutoni përdori matematikën për të shpjeguar lëvizjen dhe gravitetin.
“Nëse doni të pushtoni botën, pushtoni vetveten”, – deklaron Dostojevski në “Djajtë” dhe natyrisht që ia arriti.
- Profet
Në esenë e shkruar në 1906, poeti dhe filozofi rus Dmitry Merezhkovsky e quan Dostojevskin si “profet të revolucionit rus”. Problemi është, romanet e Dostojevskit janë të mbushura me një varg shtresash domethënëse, si rrjedhojë hera-herës lexuesit duhet t’u distancohen veprave që profecitë të zbulojnë vetveten. Shpesh, njerëzit me imagjinatë mund ta parashikojnë të ardhmen dhe, megjithatë, askush nuk është profet në tokën e vet, sipas Biblës. Edhe pse Dostojevski kurrë e konsideroi veten profet, ai arriti të përmbledhë problemet thelbësore të epokës së vet dhe të hartojë trajektoren e jetës së njerëzve dhe evolucionin e tyre.
“Entuziazmi i rinisë së sotme është po aq i pastër dhe i ndritshëm sa ishte në kohën tonë. Vetëm një gjë ka ndodhur: një spostim i qëllimeve, zëvendësimi i një bukurie me një tjetër! I gjithë keqkuptimi qëndron thjesht në pyetjen, se cila është më e bukura: Shekspiri apo një palë çizme, Rafaeli apo nafta?”
- Ndikues
Lista është e gjatë dhe vijon të rritet. Dostojevski ishte mirëfilli ndikues. Në shekuj fjalët e tij godasin drejt e në zemrat e njerëzve, po edhe përtej kufijve kulturorë. Zëri i tij i fuqishëm ndërthur mjerimin dhe pasionin, vetëvrasjen dhe dashurinë, tragjedinë dhe sakrificën. D. Lawrence, Virginia Woolf dhe William Faulkner i druheshin aftësisë së Dostojevskit për të entuziazmuar, hipnotizuar dhe lexuar mendjet. Sipas Xhejms Xhojs, Dostojevski “krijoi prozë moderne dhe e intensifikoi atë deri në nivelin e sotëm”. Franz Kafka, një adhurues i “Vëllezërit Karamazovë”, e quajti Dostojevskin “të afërm gjaku”. Ernest Heminguej përmend njeriun që qëndron pas “Idiotit”, si një nga ndikimet e tij kryesore: Te Dostojevski kishte gjëra të pabesueshme dhe për të mos u besuar, por disa ishin aq të vërteta, sa të ndryshojnë teksa i lexon”. Pasi lexoi “Shënime nga nëndhesa” dhe “Shtëpia e të vdekurve”, Friedrih Niçe e përshkroi Dostojevskin si “psikologu i vetëm, nga i cili kam diçka për të mësuar”. Mendimtari dhe filozofi i mirënjohur rus, Lev Shestov, arriti në përfundimin se Dostojevski dhe Niçe ndajnë një ngjashmëri të veçantë shpirti, për pasojë Dostojevski dhe Niçe “mund, pa ekzagjerim, të quhen vëllezër, madje binjakë”./Konica.al
Dostojevski, i cili luftonte çdo ditë me djajtë e brendshëm, ishte i dënuar në shtratin e psikiatrit dhe, askush tjetër përveç Sigmund Frojdit, psikoanalizoi shkrimtarin rus në esenë e famshme “Dostojevski and Parricide”, e cila u botua në 1928. Frojdi nuk do të ishte Frojd, nëse nuk do të ishte përqendruar në kompleksin e Edipit të Dostojevskit dhe marrëdhëniet me babanë, krizat epileptike, pikëpamjet fetare dhe një varësi 10-vjeçare ndaj lojërave të fatit.
- Ekzistencialist
Duke përsëritur idetë e filozofit danez Soren Kierkegaard, i cili vendosi vetëm një person të vetmuar në qendër të filozofisë së tij, Dostojevski zbuloi personin e brendshëm të vërtetë. “Fatkeqësitë lënë një shenjë të caktuar krenarie mbi personazhin, nëse nuk shkatërrohet kryekëput prej tyre”, – besonte Kierkegaard. “Njeriu është i pakënaqur, sepse ai nuk e di se është i lumtur, vetëm për shkak të kësaj”, – iu përgjigj Dostojevski. Dostojevski dhe Kierkegaard nuk u takuan kurrë dhe nuk e njihnin njëri-tjetrin. Në 1863, Dostojevski shkroi romanin e parë ekzistencialist: “Shënime nga nëndhesa”, narratori i të cilit vendosi tonin e mrekullueshëm nervor që në paragrafin e parë. “Unë jam një person i sëmurë… Unë jam një person i lig. Unë jam një person jo tërheqës”. Filologu rus i shekullit të 20-të, Mikhail Bakhtin, e quajti këtë mënyrë ligjërimi dostojevskiane “term me një frëngji”. Thelbi ideologjik i “Shënime nga nëndhesa” është mosmarrëveshja e personazhit kryesor me teoritë më të famshme shkencore të mesit të shekullit të 19-të dhe idenë themelore të Dostojevskit për nevojën e besimit të krishterë dhe vetëmohimit. Novela e shkurtër e Dostojevskit, mori famë botërore vetëm nga mesi i shekullit të 20-të: doli të ishte një fillesë e ekzistencializmit, ndërsa njeriu i tij i nëndheshëm u bë kumbari letrar për nënshkrimin e personazheve nga Sartrë, Kamy dhe autorë të tjerë evropianë, apo dhe kineastë.
- Besimtar
Dostojevski ishte njeriu i kontrasteve, idetë e të cilit ishin padyshim përpara lakores. Ai ishte thellësisht fetar, një i krishterë ortodoks, i cili e thirri kaq shpesh emrin e Zotit në veprat e tij, sa të tjerët nuk përmendin as mbiemrin. Shkrimtari e përshkroi Jezusin si “ideali i njeriut prej mishi”, por qëndrimi ndaj fesë dhe besimit pësoi një ndryshim të dukshëm. Historianë të ndryshëm pretendojnë se gjatë rinisë, Dostojevski ishte më i dhënë pas ideve socialiste, sesa në fé, ndërsa të tjerë pohojnë se ai ishte fetar i flaktë që nga fëmijëria. Një gjë është e sigurt: Dostojevski u prek shumë nga përvoja e burgut. Shkrimtari kaloi katër vjet punë të vështirë në një burg siberian, pas së cilit u dërgua në batalionin e linjës së 7-të në Korpusin e Ushtrisë Siberiane. Kjo përvojë dramatike e ndihmoi Dostojevskin të kuptonte vlerën e vërtetë të jetës njerëzore. Për të, u bë e qartë se çdo person, në çdo moment të kohës, në të vërtetë fërgëllont në prag të përjetësisë.
“Përjetësia e shpirtit dhe Zoti janë një dhe e njëjta ide”, – shkruan në një nga letrat, në 1878. “Unë tashmë kam nevojë për Zotin, sepse kjo është e vetmja qenie që mund të dashurohet përgjithmonë”, – përmbledh Dostojevski në “Djajtë”./Konica.al