MENU
klinika

10 pika që do ju ndihmojnë

Të varur nga ushqimi? Ja si ta luftoni

19.08.2021 - 16:25

Ka disa hormone në trupin tonë që, siç vërtetohet nga shkencëtarët, janë përgjegjëse për varësitë. Mbingrënia është gjithashtu një varësi, pasi disa njerëz mund të kenë shumë pak ose aspak kontroll mbi atë që hanë. Kjo jo vetëm që çon në shëndoshje, por edhe në çrregullime të caktuara mendore, si për shembull depresioni.

Më poshtë ju sjellim në vëmendje 10 pika që do ju ndihmojnë për të “luftuar” me varësinë ndaj ushqimit:

1.Zëvendësoni ushqimet e përpunuara dhe ëmbëlsuesit me alternativa më të ushqyeshme:
Shumë studiues thonë se produktet që përmbajnë nivele të larta sheqeri, ëmbëlsues artificialë dhe yndyrna shkaktojnë varësi, duke shkaktuar reaksione kimike në trup. Ushqimet e përpunuara kryesisht i përmbajnë pothuajse të gjitha ato. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të blini produkte më të shëndetshme. Për ta bërë më të lehtë, bëni një listë para se të bëni pazar, në mënyrë që të qëndroni në të dhe të mos bëni blerje të papritura.

2.Kontrolloni porcionet tuaja
Nëse nuk mund të përjashtoni plotësisht ushqimin jo të shëndetshëm nga menuja juaj, nutricionistët thonë se ju mund të zvogëloni varësinë tuaj ndaj tij duke ngrënë vetëm një sasi të caktuar. Për shembull, nëse doni të hani patate të skuqura, blini paketën më të vogël, një herë në javë.  Nëse jeni akoma të uritur pas një pjese, prisni rreth 30 minuta para se të merrni një tjetër. Gjatë kësaj kohe dëshira juaj për të ngrënë me siguri do të kalojë.

3.Konsumoni vakte të rregullta të shëndetshme
Ju mund të zvogëloni dëshirat tuaja ndaj produkteve specifike nëse plotësoni nevojat tuaja ushqyese përmes vakteve të ekuilibruar. Të gjithë kemi dëgjuar se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Për më tepër, disa profesionistë të shëndetit mendor thonë se nëse zgjidhni ushqim të shëndetshëm në fillim të ditës, zakonisht do të kontribuoni në përfshirjen e strategjive të shëndetshme në rutinën tuaj.

4.Ndryshoni zakonet tuaja sociale
Ndryshimi i rutinës suaj të përditshme mund të jetë një ndihmë e shkëlqyeshme për të hequr qafe zakonet tuaja të pakëndshme ushqimore. Mundohuni të kaloni më shumë kohë duke u përfshirë në aktivitete që nuk përfshijnë ngrënie. Për shembull, në vend që të dilni me miqtë për darkë, mund të shkoni të shikoni një film.

5.Uluni në tryezë teksa hani, përqendrohuni në ushqim dhe përtypni ngadalë
Hormonet tona janë përgjegjëse për kontrollin e oreksit dhe konsumit të kalorive dhe duhen rreth 20 minuta që ato të dërgojnë sinjalet në trurin tuaj që keni ngrënë dhe se jeni tashmë të plotësuar. Kështu që ngadalësimi do të zvogëlojë në masë të madhe shanset tuaja për mbingrënie dhe për të fituar peshë.

6.Kushtojini vëmendje ngrënies emocionale
Shumë njerëz mendojnë se të ngrënit shumë teksa jeni të mërzitur ose të stresuar mund t’ju ndihmojë. Por kjo vetëm rrit dëshirat tuaja ushqimore dhe nuk ka asnjë lidhje me zgjidhjen e problemeve. Së pari, ngrënia emocionale shoqërohet më së shumti me zgjedhje jo të shëndetshme të ushqimit si karamele, pasta, pica, etj. Mund ta shmangni këtë duke gjetur mënyra të shëndetshme për të përballuar stresin. Meditimi, joga, stërvitja, biseda me një mik, madje edhe leximi apo shikimi i serialeve televizive, nëse bëhet rregullisht, mund t’ju ndihmojnë shumë për të ulur stresin si dhe për të humbur kilet.

7.Shmangni kafeinën
Gjumi i mirë është shumë i rëndësishëm për të qëndruar të shëndetshëm. Kafeina, duke qenë një stimuluese, mund të shqetësojë shumë gjumin tuaj të nevojshëm. Për më tepër, siç tregojnë studimet, ekziston një lidhje midis mungesës së gjumit dhe shtimit të peshës. Kështu që ulja e konsumit tuaj ndaj kafeinës mund t’ju ndihmojë ndjeshëm të humbni peshë.

8.Gatuani ushqime në shtëpi
Ushqimi në shtëpi është më i shëndetshëm për ju sepse ju jep shumë më shumë kontroll, siç thonë ekspertët. Kur e dini saktësisht sesa kripë, sheqer ose yndyrë po hyjnë në gjellën tuaj, mund të keni një ide më të mirë sesi të arrini qëllimet tuaja ushqyese dhe kalorike.

9.Kujdesuni për trupin tuaj
Studimet sugjerojnë që masazhi mund të jetë një pjesë e dobishme e programit tuaj për humbjen e peshës. Për shembull, një masazh suedez është shumë i mirë për qarkullimin e gjakut dhe muskujt. Ai ndikon në zonat problematike të trupit dhe përmirëson sensin tuaj të përgjithshëm të mirëqenies. Ju gjithashtu mund të përdorni kremra të veçantë për vetë-masazh në zonat me probleme si barku, këmbët dhe ijet.

10.Kërkoni ndihmë profesionale
Nëse mendoni se keni një çrregullim të ngrënies, flisni menjëherë me një mjek. Trajtimi për këto çrregullime shpesh përfshin terapi, grupe mbështetëse dhe disa ilaçe gjithashtu.

Burimi: BrightSide