Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi I ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që përkasin një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë në mes krerëve më të lartë të regjimit komunist të asaj kohe, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj, të cilët me anë të relacioneve të ndryshme dhe raport-informacioneve të përpiluara prej tyre, i bëjnë me dije udhëheqjes së lartë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me situatën e vështirë politike dhe ekonomike që po kalonte vendi ynë, para dhe pas prishjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Republikën Popullore të Kinës. Korespondenca e plotë në mes drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive të rretheve, si dhe Degëve të Punëve të Brendshme në qytete të ndryshme, për bisedat e komentet pozitive dhe ato negative që bëheshin nga njerëz të ndryshëm, si intelektualë, punëtorë, ushtarakë dhe fshatarësia kooperativiste, si dhe nga “elementët e deklasuar dhe armiq”, lidhur me situatën në të cilën ndodhej vendi pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë, me Republikën Popullore të Kinës dhe çdo të ndodhte pas kësaj me vendin e vogël komunist të Ballkanit, që propagandonte se ‘do të ndërtonte socializmin, vetëm me forcat e veta’?!
Nga: Dashnor Kaloçi
Në fillimin e vitit 1978, si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë komuniste me Republikën Popullore të Kinës, gjë e cila kishte filluar të merrte të çarën e parë që nga fillimi i viteve ’70-të kur Kina Popullore e Mao Ce Dunit me anët të “politikës së ping-pongut” filloj të afrohej me SHBA-ve dhe priti në Pekin sekretarin e Departamentit të Shtetit, Henry Kissinger dhe më pas Presidentin Nikson, duket se Tirana zyrtare “vuri alarmin”. Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga një numër i madh dokumentesh zyrtare të asaj kohe, ku ndodhen korrespondencat “Tepër secrete” të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministrisë se Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive e atyre Ekzekutive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasqyrohet qartë jo vetëm qëndrimi zyrtar i udhëheqjes së lartë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, por në përgjithësi edhe ai i shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, (intelektualë, punëtorë, fshatarësia kooperativiste, ushtarakë, nxënësit e shkollave dhe studentët, komunistë, “elementë të deklasuar dhe armiq”, etj.), ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike, dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978.
Kështu, ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ‘60-të, Kina komuniste e Mao Ce Dunit, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë duket qartë nëpër rreshtat e këtyre dokumenteve që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku vërehet frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe krerët më të lartë të udhëheqjes së saj, që nga: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e trasmetonin atë ankth e pasiguri, tek njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri tek fshatarësia kooperativiste.
Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit nga Memorie.al, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për “tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit”. Në kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj, me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë. Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarë politik të saj, të cilat i konsideronte si ”element të deklasuar dhe armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto raport-informacione, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe zëvendësve të tij, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht, Hysni Kapon, (anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i K.Q. të PPSH-së, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së proletariatit’) për gjithçka që fliste dhe komentonte “armiku i klasës”, në çdo rreth të vendit, si dhe komentet pozitive që bëheshin edhe prej tyre.
Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, ku ish ”vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri, si kuadro dhe specialist në vepra të ndryshme industriale nga Jugu në Veri të vendit, si: Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferro-kromit në Burrel, Fabrika e Letrës në Lezhë, Baza Ushtarake e Pashalimanit, Uzina e Tankeve dhe Artilerisë në Shish-Tufinë, Uzina e Municioneve Luftarake në Mjekës të Elbasanit, Uzina e Prodhimit të Armëve në Poliçan, etj., tashmë janë kthyer në “agjent, sabotatorë e komplotist” dhe përgjohen kudo dhe në çdo hap të tyre. Paisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurat, artileria e rëndë, etj., me të cilat Republika Popullore e Kinës prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë komuniste, tashmë rezultonin “me defekti të rënda” dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”.
Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, ishte parë disa herë ndër vite, kur Tirana zyrtare me në krye Enver Hoxhën, vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit i kishte pasur “aleatet” më të ngushta të saj, si Anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos e Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe atyre që e pasuan atë, si Hurshovi, Brezhnjevi, etj.
Seria e “miqve-armiq”, nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin “çlirimtarë dhe kontribues të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ndërsa më pas u kthyen në vendet dhe shtetet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948-‘49, u konsideruan “revizionistë dhe agjentë të Perëndimit”. Për të vijuar më pas me “vëllezërit sovjetikë të baba Stalinit”, aleatin më të ngushtë të Shqipërisë komuniste të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare, si “revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë”. Dhe kjo gjë, do të përsëritej identik edhe me kinezët, gjë e cila u bë publike zyrtarisht, atë fund-korriku të nxehtë të vitit 1978, kur pas “Letrës së Hapur” të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave të Republika Popullore të Shqipërisë, dërguar qeverisë kineze dhe Partisë Komuniste të Kinës, Kina tërhoqi nga Shqipëria të gjithë specialistët e saj, civilë dhe ushtarakë?!
Vijon nga numri i kaluar
Relacioni i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, për problemet me specialistët kinezë në bazën ushtarake të Pashalimanit
PARTIA E PUNES SE SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISE SE MINISTRISE
MBROJTJES POPULLORE
Tiranë, më 20.7.1978
Nr. 660/1
Lënda; Informacion; Mbi qëndrimin e specialistëve kinezë në objektin e Porto-Palermos
KOMITETIT QENDROR TE PPSH-së
SHOKUT GAFUR ÇUÇI
Grupit të instruktorëve për çështje organizative të partisë në Ushtri
Tiranë
Në fund thanë se duke u nisur nga shkaqet që vinë nga lart, nga shokët tuaj, duam të largohemi që këtej. Shokët tanë mbasi biseduan me Ministrinë, u thanë që kjo është dëshira juaj? Ata u përgjigjën: po, është dëshira jonë (duke mbajtur kokën ulur).
Më datën 9.7.1978 mbasi u krijuam kushte transporti u larguan nga Palermo. Gjatë datës 8 dhe 9 ata nuk kanë fjetur, por u morën me djegien e dokumenteve dhe materialeve të tjera. Në kohën e largimit, në mëngjesin e datës 9.7.1978, disa prej tyre qanin dhe ju kërkuan falje për çdo gjë kuzhinerve, duke ju thënë: “Jeni sjellë mirë me ne dhe na keni shërbyer në mënyrë të shkëlqyer”, ”na falni neve nuk kemi faj, fajin e kanë të tjerët”. Në fund, kur u larguan të gjithë nderuan me grusht duke thënë shqip, “mirupafshim”.
Nga ana jonë u porositën shokët që të kontrollojnë me imtësi në lokalët e tyre dhe nga informimet që na kanë bërë, del se në hotelet e tyre çdo gjë u gjet në rregull. Në një dhomë kishin lënë koleksionin e gazetës ‘Zhenminzhibao’ si dhe koleksion informacion të ambasadës kineze në gjuhën shqipe, të cilët u muarën nga shokët e Detashmentit.
Gjatë udhëtimit për në Tiranë, u shoqëruan me dy shokë dhe gjatë udhëtimit nuk folën fare.
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE
MINISTRISE SE MBROJTJES POPULLORE
ALI VUKATANA
Relacioni i Komitetit të Partisë së Repartit Ushtarak 1460 të Pashalimanit, për Komitetin Qendror të PPSH-së
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Tepër sekret
KOMITETI PARTISE SE REPARTIT
USHTARAK Nr. 1460
Nr. 108….prot. Tiranë, me 10.3.1978
Lënda: Mbi gjendjen e silurave të ardhura nga Kina
KOMITETIT QENDROR TË PARTISE SE PUNES SE SHQIPERISE
Shokut Hysni Kapo
Tiranë
Në muajin janar 1978, nga Kina, në interes të Flotës Luftarake Detare, erdhën 30 copë silura luftarake për ‘Katëra Silurues’, të cilat u’a shpërndamë propocionalisht bazave (Shëngjinit 10 copë, Durrësit 10 copë, Sarandës 10 copë).
Nga montimet dhe kontrollet e deritanishme, rezulton se: në tërësi ky kontigjent ka ardhur me defekte të shumta teknike dhe mungesa në pjesët materiale. Kështu në Bazën Ushtarake të Sarandës, gjatë montimit të silurave, në makinën kryesore të dy silurave janë gjetur pece, që është në kundërshtim me rregullat; në dy silurat e tjera u konstatua se shfrynte aparati hidrostatik, e cila në qoftë se nuk rregullohet shkakton mbytjen e silurës gjatë qitjes; kurse shokët e Durrësit kanë konstatuar se makina kryesore e një silure dhe aparati hidrostatik, janë të salduara.
Gjatë montimit është konstatuar se disa pjesë mungojnë, si: rondele të ajrit të presionit të lartë, si dhe janë gjetur edhe pjesë të liruara dhe mungesa të tjera teknike.
Të gjitha këto tregojnë se silurat duhet të jenë të vjetra dhe të përdorura, të cilat përpara se t’i nisnin, u kanë kaluar nga një remont të shpejtë, duke e përqendruar vëmendjen e tyre vetëm në lyerjen e tyre.
Kemi marrë masa që të gjitha këto të meta dhe difekte, jo vetëm t’i evidentojmë, por dhe t’i eliminojmë, duke e vënë çdo silurë në gatishmëri luftarake.
Gjithashtu kemi menduar që 3 silura (një nga çdo bazë) të kalojnë në kontroll të plotë pranë Uzinës së Pashalimanit për të parë dhe kontrolluar më mirë gjendjen teknike e nxjerrë konkluzionet e detyrat, për të vepruar në të pastajmen, për t’i vendosur në gatishmëri. Mundësitë tona janë të plota.
Pranë Uzinës së Pashalimanit do të dërgojmë për kontroll të përgjithshëm dhe vendosjen në gatishmëri të plotë edhe të 60 copëve goditëse inert, të këtyre silurave, pasi vjet, goditëset na kanë ardhur me defekte të mëdhaja teknike, të cilat deri tani 80 % i kemi në gatishmëri dhe vazhdojmë sipas një plani të caktuar. Edhe për këtë mundësitë dhe aftësitë tona janë të plota.
Mbi montimin dhe kontrollin përfundimtar të tyre, si dhe mbi problemet që do të na lindin, do t’ju informojmë.
Në planet pesëvjeçare që kemi për problemet ushtarake, kemi parashikuar edhe për prodhimin e silurave ushtarake në vend.
SEKRETARI I KOMITETIT PARTISE REP 1460
BEQIR GERBI
Shënimi i Hysni Kapos mbi relacionin e Komitetit të Partisë së Repartit Ushtarak 1460 të Pashalimanit
Çdo gjë mund të prisni nga kinezët. Tash e mbrapa e kemi çdo gjë të qartë se çfarë janë. Kini parasysh se mos element jo të mire, na dëmtojnë armatimet, duke gjetur pretekst se kanë qenë dërguar të sabotuara nga kinezët. Vigjëlenca duhet forcuar kudo. Të bisedosh me shokët.
Hysni Kapo
10.4.1978
Letra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, për Hysni Kapon
Shoku Hysni
Po ju dërgoj një informacion të Drejtorisë së Tankeve mbi kontrollin e tankeve të ardhur nga Republika Popullore e Kinës pas vitit 1975, sipas porosisë së dhënë nga shoku Mehmet, mbasi disa nga tanket e ardhura në vitin 1977, u konstatuan disa mungesa.
Një kopje ju dërgua dhe shokut Mehmet.
Tiranë, më 8.4.1978
Me respekt
Veli LLakaj
U porosit shoku Veli nga shoku Hysni, me dt. 14.4.1978
Raport-informacioni i Drejtorisë së tankeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes, dërguar Hysni Kapos
I N F O R M A C I O N
MBI
PERFUNDIMIN E KONTROLLIT TE TANKEVE LUFTARAKE TE ARDHURA NGA
RP e KINES MBAS VITIT 1975
Në bazë të detyrës së vënë, në tremujorin e parë të vitit 1978, u organizua dhe u krye kontrolli i tankeve të ardhur nga Republika Popullore e Kinës mbas vitit 1975
Në përfundim të punës rezulton se:
Në blindin e tankeve; ka çarje te vogla dhe saldim me cilësi të dobët.
Në pjesët lëvizëse të tankeve; ka mungesa saldimi dhe çarje në disa kufizues ballancierësh.
Në motorët dhe sistemet e tyre; rrjedhje nga një guarnicion i kokës së motorit, ndërsa ndonjë tank kishte konsumim të rubinetës së naftës dhe dy rezervuarë rezervë të vajit, të shpuar nga ana e sipërme.
Në sistemin e stabilizimit të topit dhe në sistemin elektrik; ka munges anë kopilimin e detaleve, mungesa vaji në stabilizator si dhe ato të liruara në sistemin e ndërlidhjes.
Në armatimet e tankeve; ka detale të përdorura dhe mosfunksionim të krahut të përdorimit të shulit në një tank.
Në disa tanke janë gjetur shenja të bojës së vjetër (duken numrat taktikë të tyre).
Mungesa ka edhe në kompletimin e tankeve me vegla e instrumenta (çelsa fiso etj.)
Nga sa u pa, gjatë kontrolleve, dalim në përfundimin se nga tanket e ardhura nga Kina vitet e fundit, ka edhe detale e nyje të përdorura. U morën masa që mungesat e konstatuara të evitohen.
Tanket janë në gatishmëri të plotë teknike. /Memorie.al