MENU
klinika

Nobelistja e shenjtë

E paharrueshmja, Nënë Tereza!

26.08.2021 - 13:44

        Shenjtorja nobeliste, gruaja e vogël e veprave më të mëdha që bota ka nevojë: humanizmin, jetën mes njerëzve të thjeshtë, atyre “të padukshmëve”. Atyre, bota e të cilëve vërtitet rreth skamjes në skajshmëri. Atyre, për të cilët kjo botë… nuk ka asgjë për t’u dhënë pa para./Konica.al

Në ditën e lindjes së shqiptares që e deshi me gjithë zemër vendin e saj, sa edhe iu fal gjithë popujve të botës me përulësi, për dashurinë e Zotit, sjellim një kujtim tё shkrimtarit filantropik francez, Dominique Lapierre, nga libri tij “Nënë Teresa. Leader per misione”, botuar mё 2013, nё Romё.

circa 1981: Albanian-born Catholic nun and missionary worker Mother Teresa of Calcutta (1910 – 1997) leaving Saint James’ Church in Piccadilly, London. (Photo by Ian Tyas/Keystone/Getty Images)

E paharrueshme Nënë Tereza! – shkruan Lapierre. Deri në frymën e fundit do të vazhdoj ta shoh siluetën e saj me sarin bardh e blu në mesin e mitralozëve të luftës civile libaneze. Mbante në krahë një foshnjë. Përpiqej të kapërcente kufirin ndërmjet lagjeve myslimane e atyre të krishtera në Bejrut. Askush nuk e kishte ndaluar dot të ekspozohej deri në atë pikë. Kur u duk qartë në mesin e të shtënave, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Mitralozët, pushkët, heshtën. Mund të thuhej se një valë paqeje u përhap papritmas në fushën e betejës, duke e bërë të turpërohet urrejtjen dhe marrinë e njerëzve. Asnjë skenë, për sytë e mi, nuk do të shprehë më kurrë me kaq forcë karizmën e pazëvendësueshme të shenjtes së Kalkutës, si ajo dukje e magjishme në një nga fushat më të tmerrshme të betejës së vuajtjes njerëzore.

Sa herë, në ferrin e lagjeve të Kalkutës, ose në atë, shpesh edhe më tragjik, të Perëndimit, …sapo dukej Nënë Tereza, njerëzve të përulur nga fati i keq e nga mjerimi, u shndriste në fytyrë një shprehje lumturie, mirënjohjeje, besimi. Sikur vetëm prania e kësaj gruaje, që mishëronte bamirësi e dashuri, ta zhdukte frikën, ta mbushte barkun bosh, të rijepte shpresën. Sepse ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

Kam pasur fatin të zbuloj ç’kuptim kishte në të vërtetë ky mesazh, që ditën e parë të takimit me të, në vitin 1981 – tregon Lapierre. Atë ditë isha për vizitë në “Shtëpinë e Zemrës së Pastër”, institucioni i parë, që Nënë Tereza e pati ngritur për të ndihmuar të mjerët e Kalkutës, braktisur rrugëve. Po lante plagët e një burri akoma të ri, kaq skelet, sa dukej as i gjallë e as i vdekur. Mishi sikur i ishte shkrirë. I mbetej vetëm lëkura e tendosur mbi kocka. Nënë Tereza i fliste me ëmbëlsi në gjuhën bengaleze. Nuk do ta harroj kurrë vështrimin e atij të palumi. Vuajtja i shndërrohej pak nga pak në habi, pastaj në paqe, në paqen e një njeriu, i cili pa pritur, ndjen se e duan.

Duke e kuptuar se ishte dikush pas saj, rregulltarja u kthye. E ndjeva veten jashtëzakonisht keq: po ndërprisja një dialog, që e kuptoja se ishte unik. U paraqita. Nënë Tereza thirri një vullnetar të ri evropian, që kalonte aty pari me një tas në dorë. “Duaje – e urdhëroi me dorën mbi ballin e të mjerit, që kishte përpara. – Duaje me të gjitha forcat”. E veshi burrin me bezet e me kapset e veta, u çua dhe ma bëri me shenjë ta ndiqja drejt dhomës së vogël, që ndante sallën e burrave nga ajo e grave. Aty ishte një tryezë e një bangë, ndërsa në mur, një kuadër me shkrim dore. “Mjerimi më i madh nuk është uria, ose gërbula – më tha – por ndjenja se je i padëshirueshëm, i refuzuar, i braktisur nga të gjithë”. Këto pak fjalë e përmblodhën në sytë e mi vlerën universale të veprës së Nënë Terezës – nënvizon Lapierre.

Për të, të varfrit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që në botë, kanë uri për bukë e për oriz. Të varfrit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, të paprekshmit, njerëzit pa familje, ata që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; që nuk dinë të buzëqeshin më, sepse askush nuk i vështron më me ngrohtësi e nuk u jep një dorë, si vëllait. Po, e paharrueshme Nënë Tereza!

Disa meditime dhe porosi tё Shёn Nënë Terezës:

 

Është Jezusi ai që ndjen brenda vetes urinë e të varfërve,
etjen dhe lotët e tyre.
Si Jezusi, ne duhet të bëhemi një me njerëzit tanë,
të bëhemi një me ata në të gjitha gjërat, përveç mëkateve.
Jezusi u bë kaq shumë një me të varfërit
Saqë mori pamjen e shërbëtorit.
Feja jonë në Jezusin duhet të na bëjë që të duam,
e dashuria duhet të na çojë drejt shërbimit.
Por shërbimi nuk është i mundur pa lutjen!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sekretet e vizitës së Nënë Terezës...

“I puthi dorën, gruas së padëshirueshme nga Enveri”