MENU
klinika

Grushti i shtetit

Tri ditët që zmbrapsën Gorbaçovin

26.08.2021 - 12:24

         Reformat nisur nga presidenti Mihail Gorbaçov, pasuan me aktivizimin e grupit radikal. Tridhjetë vjet më parë, në Moskë dështoi grushti i shtetit, brenda tre ditëve. Zhvillimet që pasuan, do të ndryshonin përgjithmonë rrjedhën e ngjarjeve në ish-Bashkimin Sovjetik.

Gushtin e vitit 1991, Mihail Gorbaçov, president asokohe i Bashkimit Sovjetik, po negocionte një marrëveshje të re me Republikat Sovjetike, për krijimin e Bashkimit të Shteteve Sovrane.

Gorbaçovi, planifikonte ta nënshkruante këtë dokument, pas kthimit në Moskë. Por, vetëm një ditë më parë, një grup udhëheqësish të Partisë Komuniste, kundër ideve të tij, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.

“Ajo që e shkaktoi grushtin e shtetit, ishte ideja se, Bashkimi Sovjetik nuk do të ekzistonte më. Nuk do të kishte më socializëm. Ata që drejtuan grushtin e shtetit, nuk e bënë pse ishin socialistë, por për hir të pushtetit. Çfarë i shtyu ata, në realitet dhe çfarë shtyn gjithmonë mendimin antidemokratik në Rusi, është çështja e dominancës”, – thotë Stephen Blank, pranë Institutit për Hulumtime të Politikave të Huaja.

Më 19 gusht, agjencia e sigurimit të Bashkimit Sovjetik, KGB-ja, bllokoi në rezidencën e tij në Krime, Gorbaçovin dhe familjen e tij, duke mos i lejuar të largoheshin dhe duke bllokuar komunikimin me botën e jashtme. Qasja e vetme e udhëheqësit sovjetik me botën e jashtme, ishte një radio e vogël, e fshehur nga dhëndri i tij. Ata mësuan se në rrugët e Moskës, kishin dalë tanket. Ndërkohë, pranë ndërtesës qeveritare të Moskës po organizohej një demonstratë pro demokracisë.

Presidenti i sapozgjedhur i Republikës Sovjetike Ruse – Boris Jelcin, u ngrit kundër radikalëve.

Mbi tank, Yeltsini iu drejtua protestuesve në Moskë, duke e quajtur grushtin e shtetit si antikushtetues.

Eileen O’Connor ishte korrespondente  për CNN në Moskë, në vitin 1991.

Ajo e njihte Yeltsinin, nga koha kur shërbente në qeverisjen e qytetit dhe kishte mbuluar fushatën e tij presidenciale.

“Veprimi i tij, dukej në përputhje me atë që kisha parë më parë. Ai ishte shumë reformator, ishte shumë i guximshëm dhe ndonjëherë impulsiv, por kjo ishte ajo që duhej në atë moment”, – thotë Eileen O’Connor.

Organizatorët e grushtit të shtetit u shfaqën për herë të parë në publik, atë pasdite. Në një konferencë për shtyp, udhëheqësi i grupit Genady Yanayev paralajmëroi kundër rënies së Bashkimit Sovjetik. Por, grushti i shtetit nuk arriti të fitojë mbështetje në Moskë.

“U duk qartë, se grushti i shtetit po dështonte. Mbaj mend që shikoja pamjet në televizor dhe thoja ‘nëse ky është vërtetë grusht shteti, pse mund ta shoh këtë në televizor, kur asgjë nuk po ndodh? ” –  thotë Stephen Blank.

Zhvillimet e shpejta në Moskë, ishi befasi për shumë syresh në Uashington.

Por, një raporti i klasifikuar nga CIA, i publikuar më vonë, tregoi se agjencia amerikane paralajmëroi administratën e George H.W. Bushit, për një grusht shteti të mundshëm ushtarak, në Rusi.

Qindra mijëra njerëz marshuan në rrugët e qyteteve sovjetike, për të kundërshtuar grushtin e shtetit, me disa njësi ushtarake që u bashkuan me protestuesit. Mëngjesin e 21 gushtit 1991, drejtuesit e grushtit të shtetit ndërprenë përpjekjen për të rrëzuar Gorbaçovin. Udhëheqësi sovjetik u kthye nga Krimeja, por e gjeti veten krejtësisht eklipsuar nga një yll i ri politik – Boris Yeltsin.

“Kur Boris Jelcin u bë president i Federatës Ruse përmes zgjedhjeve, kishte legjitimitet, pasi u zgjodh nga grupi më i madh etnik në vend. Mikhail Gorbaçovi, nuk u zgjodh kurrë nga populli. Mendoj se ngjarjet e gushtit 1991, treguan se legjitimiteti popullor, kur je në detyrë përmes votës, është shumë i rëndësishëm dhe ishte gabimi më i madh i Gorbaçovit”, – thotë për ”Zërin e Amerikës”, analisti Paul Goble.

Pas dështimit të grushtit të shtetit, shumica e republikave njoftuan se do shkëputeshin nga Bashkimi Sovjetik. Ekspertët pohojnë se, ngjarjet e gushtit nuk ishin arsyeja, por katalizatori për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, që ndodhi vetëm katër muaj më vonë, në dhjetor 1991.