Inter nuk fal edhe në ndeshjen e dytë të kampionatit. Pavarësisht se u gjend në disavantazh në pjesën e parë, skuadra kampione përmbysi 1-3 në transfertë me Veronan, ku dy golat e fundit i shënoi debutuesi Correa.
Pjesa e parë ishte e mirë për Hellas Verona, e cila bëri presion lartë për 45 minuta dhe e gjeti rrjetën pikërisht në një rikuperim topi në skaj të zonës zikaltër. Ilic fillimisht e mori topin nga Brozovic, pastaj e goditi duke mposhtur Handanovic, teksa ishte ky i fundit që e nisi keq topin e parë.
Në të dytën, Inter rrit ritmin dhe gjen golin e barazimit me Lautaro Martinez. Minuta 47’ dhe 1-1. Zikaltrit besojnë më shumë se vendasit dhe në minutën e 83-të vjen përmbysja. Është Correa, që i futur 74’, realizon golin e avantazhit.
Por argjentinasi nuk ndalet këtu, pasi në limitet e ndeshjes shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin, duke qetësuar trajnerin Inzaghi dhe gjithë tifozët. Dy ndeshje, gjashtë pikë, 7 gola të shënuar, një i pësuar, Inter thuajse perfekt.