Në një konferencë për mediat, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko foli mbi skenarët e mundshëm të rritjes së inflacionit dhe politikat që do të ndërmarrë institucioni që ai drejton.
Sejko tha se momentalisht në Shqipëri është rritur vetëm çmimi i naftës dhe i bukës, ndërsa ka pritshmëri për rritje në tremujorin e tretë të vitit, kur kërkesa për energji është më e lartë nga konsumatorët.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri me dije se Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Ai shtoi se nëse do të kemi një rritje të inflacionit mbi parashikimet atëherë do të reagohet me rritje të normës së interesit.
“Këshilli Mbikëqyrës i BSH vlerësoi se qëndrimi aktual i politikë s monetare mbetet i përshtatshëm. Rrjedhimisht Këshilli Mbikëqyrës vendosi të lërë të pandryshuar normë n bazë të interesit në nivelin 0, 5 për qind, gjithashtu të lërë të pandryshuara normat e interesit te kredive një ditore, në nivelet e 0,1 dhe 0,9 për qind”, tha Sejko.
“Rritja e çmimeve vjen si pasojë e inflacionit të importuar nga tregjet ndërkombëtare. Është rritur nafta, gazi dhe energjia veçanërisht në Eurozonë. Gjithësesi në tregun e brendshëm, me përjashtim të rritjes së çmimit të naftës dhe bukës nuk kemi parë rritje të çmimeve. Pritshmëria është për tremujorin e fundit të këtij viti dhe tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Në dimër nevoja për energji dhe gaz do jetë më e lartë. Gjithësesi është për tu parë si do reagojnë tregjet. BSH do monitorojë situatën dhe do të shohë si do të reflektohet kjo në inflacion. Nëse inflacioni bazë, pra i brendshëm do rritet më shpejt se parashikimet, ne do reagojmë. Do kalojmë në politikën monetare shtrënguese, pra me rritje të normës së interesit”, vlerësoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Sejko u shpreh se rritja ekonomike shënoi nivelin 17.9 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa shtoi se ekonomia shqiptare tanimë ka rikuperuar tërësisht humbjet e shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia.
“Sipas të dhënave të INSTAT-it rritja ekonomike shënoi nivelin 17.9 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare ka rekuperuar tërësisht humbjet në aktivitetin ekonomik të shkaktuara nga tërmeti dhe nga pandemia. Analiza e të dhënave të disponuara tregon se rritja e tremujorit të dytë, pasqyron jo vetëm efektin e fortë bazë të rënies së fortë ekonomike gjatë tremujorit të dytë të vitit të kaluar, por edhe gjerësinë dhe forcën e faktorëve që kanë ushqyer rritjen në gjysmën e parë të këtij viti. Po ashtu analiza e të dhënave indirekte sugjeron për norma të shpejta rritje edhe gjatë tremujorit të tretë, por edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. Rritja e aktivitit ekonomik shfaqet me bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate ajo pasqyroi zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, rritjen e shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerimin e eksportit të mallrave dhe shpenzimeve. Në terma sektorialë, kjo rritje pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të aktivitetit ndërtues, industrial dhe të shërbimeve. Punësimi u rrit me 1.1 për qind gjatë tremujorit të dytë, ndërsa shkalla e papunësisë zbriti në nivelin e 11.6 për qind“, u shpreh ai.