Kamza ka shkarkuar trajnerin e dytë për këtë sezon. Humbja e djeshme me Teutën i ka vënë kapakun gjithçkaje, ka sosur përfundimisht durimin e presidentit Naim Qarri.
Ky i fundit ka marrë vendimin përfundimtar, pas paralajmërimeve publike, për shkarkimin e trajnerit Klodian Duro. Kamza bëhet, kësisoji, skuadra e vetme e Superiores, që shkarkon dy trajnerë në 12 javë kampionati.
Pas Bledar Devollit, radha i erdhi edhe Duros të bëhet “kurban” te skuadra kamzalije. Dhe të mendosh se bëhet fjalë për një ish-futbollist të njohur të kombëtares kuqezi, që kishte provuar të bënte trajnerin më parë edhe te Kukësi, nga ku u largua me Kupën e Shqipërisë të fituar.
NJOFTIMI I KLUBIT TË KAMZËS
“Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro. Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu.
Mungesat e rezultateve na detyrojnë të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment. Trajnerit Klodian Duro i urojmë suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”.