Ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov, ia ka bërë të qartë Shkupit se, që të zgjidhet ngërçi, Maqedonia e Veriut, duhet të përfshijë pakicvën bullgare në Kushtetutë. Gjatë një takimi me përfaqësues të organizatave bullgare në Maqedoni, Borisov, foli për diplomaci të keqe të liderëve, me të cilën e gjithë bota qesh.
“Maqedonia e Veriut nuk ka mik më të ngushtë se Bullgarinë. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të përmirësuar marrëdhënien tonë. E gjithë bota demokratike qesh me diplomacinë tonë të keqe. Për ne është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE”, u shpreh Borisov.
Siç postoi Borisov në profilin e tij në Facebook, “përfaqësuesit e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut iu ankuan se ndiheshin si fantazma sepse “presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë veriore i trajtojnë ata sikur të mos ekzistojnë”.
“U thashë se garantoj me emrin tim se nuk do të kemi bisedime me Maqedoninë e Veriut derisa pakica bullgare të përfshihet si e tillë në Kushtetutë. Ata e dinë se mbështetja jonë si qeveri apo opozitë për ta varet nga njohja e minoritetit bullgar. Për Bullgarinë është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të jenë në Bashkimin Evropian”, tha ish-kryeministri bullgar.
Borisov thotë se është i bindur se problemet mes dy vendeve nuk janë të pazgjidhshme, përderisa ka vullnet nga të dyja palët dhe u tha përfaqësuesve të organizatave bullgare në Maqedoni se ato janë ura e miqësisë.