Nga Walter Mayr, Alexander Sarovic &Lina Verschwele“Der Spiegel”
Parë nga afër, njeriu që shpreson të ndajë një vend në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian është fizikisht një gjigant, më shumë se 2 metra i gjatë. “Drago mi je”, kënaqësi që po ju takoj, thotë Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës me 3 liderëtë Bosnje Hercegovinës.
Takimi me të ndodhi pasditen e së enjtes së kaluar në Banja Luka, selia e qeverisë së entitetit serb. Brenda pak ditësh pritet të nisin një seri procedurash parlamentare, të cilat përfundimisht mund të çojnë në shkëputjen de-fakto të pjesës me shumicë serbe të vendit. Dodik dëshiron autonominë për Republikën Srpska, një entitet i ngjashëm me shtetin, i banuar nga rreth 1.2 milionë banorë, dhe me një sipërfaqe sa ishulli italian i Siçilisë, dhe
Që përbën afërsisht gjysmën e territorit aktual të shtetit federativ të Bosnje Hercegovinës.
Po pse kërkohet shkëputja? Vendi është i rrënuar nga varfëria dhe emigracioni, dhe nuk e ka rimarrë tërësisht veten që nga lufta e fundit.
Por Dodik -që e drejton vendin së bashku me dy përfaqësuesit e tjerë, njëri nga boshnjakët myslimanë dhe i treti nga kroatët katolikë – e cilëson Bosnjen si një eksperiment të dështuar.
A shqetësohet ai për humbjen e pushtetit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, gjë që mund të ketë pasoja ligjore për të, duke pasur parasysh akuzat për korrupsion që janë ngritur kundër tij?“Ndaj meje nuk ka asnjë provë inkriminuese. Arsyeja e vetme e ekzistencës së opozitës, është përhapja e historive të tilla të rreme mbi mua”- shprehet Dodik.
Ai këmbëngul se nuk do që të jetë përgjegjës për fillimin e një lufte të re. Dodik, njeriu më i fuqishëm në rajonin e mbizotëruar nga serbët, sheh qytetin nga dritarja e zyrës së tij, e ndodhur në katin e 16-të të godinës së qeverisë në Banja Luka.“Unë nuk besoj në mundësinë e një konflikti të ri politik. Nuk do të jemi ne që do ta nisin atë. Ne po luftojmë politikisht për qëllimet tona”- nënvizon ai.
Në fakt shumë njerëz kanë nisur të pyesin nëse Bosnje Hercegovina do të përballet me të njëjtin fat si Jugosllavia para saj, e cila u shpërbë në një seri luftërash që filluan në vitin 1991, dhe që i kushtuan jetën 130.000 njerëzve, ndërsa dëbuan miliona të tjerë nga shtëpitë e tyre. Situata deri më tani ka mbetur nën kontroll, pavarësisht prirjeve separatiste të Dodik, por gjithsesi mbetet serioze.
Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila sanksionoi mënyrën e bashkëjetesës paqësore midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve, është duke u minuar nga shumë anë. Bosnje Hercegovina mbetet një shtet laraman multi-etnik, dhe mbi të gjitha një konstrukt i ndërlikuar politik.
Që nga fundi i luftës, ajo përmban dy “entitete” përafërsisht të barabarta – një serb dhe tjetri boshnjako-kroat – së bashku me rajonin e Brçkos në kufi me Kroacinë. Institucionet shtetërore – presidiumi, qeveria, gjyqësori dhe ushtria – qeverisin të gjithë vendin, për sa kohë që aktualisht nuk bojkotohen nga njëri prej ish-armiqve në luftë.
Pastaj, ekzistojnë disa organe të kushtueshme në nivel rajonal:Dhjetë kantone me administrata të fryra me gjithsej 180 ministra lokalë.Konflikti aktual nisitë përshkallëzohej kur Valentin Inzko, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjen, një pozicion i krijuar nga komuniteti ndërkombëtar në vitin 1995 për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, miratoi një ligj që e bën të paligjshëm mohimin e gjenocidit dhe krimet e luftës. Në kundërpërgjigje, Dodik nisi të inkurajojë bojkotin për të bllokuar punën e të gjitha institucioneve shtetërore njëra pas tjetrës, duke filluar që nga nëntori. Po ashtu ai shpreson që parlamentin serb në Banja Luka të votojë në favor të lejimit që entiteti serb të mbajë ushtrinë e vet, një veprim ky shumë i rrezikshëm.
Dodik nuk i fsheh aspak prirjet e tij nacionaliste, dhe të dielën e kaluar i ekspozoi ato në pallatin presidencial në Sarajevë. Ai solli me vete një fizarmonikë për t’u argëtuar me aleatët e partisë së tij me këngë popullore kombëtare në zemër të kryeqytetit me shumicë myslimane.
Gjatë viteve 1992-1996, më shumë se 10.000 njerëz vdiqën vetëm në Sarajevë – përfshirë 1.600 fëmijë – gjatë bombardimeve të vazhdueshme të artilerisë serbe.
Zheljko Komshic, anëtari kroat i triumviratit presidencial, thotë për Dodik:“Derisa të vijë në vete dhe t’i nënshtrohet terapisë së duhur, marrëzia do të vazhdojë”. Por ajo që nuk thotë Komshic, është se partia më e fuqishme kroate, Unoni Demokratik Kroat (HDZ), e kryesuar nga Dragan Çoviç, ka bërë pjesën e vet për të dëmtuar themelet e republikës.
Dhe kjo pavarësisht faktit se kroatët e Bosnjës, janë relativisht të privilegjuar në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, pasi janë të pajisur me pasaportat e BE-së nga qeveria fqinje e Kroacisë. Udhëheqësi i opozitës boshnjake Elmedin Konakovic, paralajmëron se gjendja aktuale është e ngjashme me atë në vitin 1992, pra në prag të shpërthimit të luftës.
Ka kohë që qarkullojnë zëra se policia në zonat serbe ka ndërtuar arsenalet e armatimeve, përfshirë ato sulmuese. Por në luftën e fjalëve, pas nuk mbeten as boshnjakët. Disa ditë më parë, konsulli i Bosnjës në Frankfurt shkroi në Twitter:“Ka shumë municione në Konjic dhe Gorazhde, Travnik. 100.000 boshnjakë kanë tashmë përvojë luftarake”.
Vrimat e shkaktuara nga plumbat mbeten edhe sot e kësaj dite në fasadat e godinave të banimit në periferi të Sarajevës, në Dobrinja, si kujtesë se qyteti ishte shtëpia e luftimeve më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërkohë, a është Evropa e përgatitur për një shpërthim të mundshëm të dhunës në këtë rajon kaq të brishtë?
Pyetje të tilla shtrohen shpesh në kampin Butmir, shtëpia e misionit të EUFOR në Bosnje-Hercegovinë, ku janë vendosur 600 trupa nga 19 vende. Misioni ruan paqen në vend që prej vitit 2004.“Nëpërmjet misionit tonë, ne kemi qenë në gjendje të blejmë kohë për të arritur zgjidhje të qëndrueshme politike”- thotë gjeneralmajori austriak Alexander Platzer.
Platzer thotë se tensionet janë shtuar kohët e fundit, por askush nuk po flet ende për një konflikt të armatosur. Por thekson se nuk mund të përjashtohet një përshkallëzim i situatës.
Misioni i EUFOR-it në Bosnje, lindi nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe mandati i tij pritet të ripërtërihet në nëntor.
Burimet diplomatike thonë se ekziston shqetësimi se Rusia mund të vërë veton kundër, por Platzer e cilëson të pamundur këtë skenar. “Unë mendoj se edhe Rusia ka avantazhe nga një mision neutral këtu”- thotë ai. Përfaqësuesi i ri i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, gjermani Christian Schmidt, e ka marrë zyrtarisht detyrën që nga muaji gusht.
Por ai aktualisht nuk është në selinë e tij në Sarajevë por në Paris, sepse po zhvillon negociata për zgjatjen e misionit tëEUFOR.Cili është këndvështrimi i tij për situatën aktuale në rajon? Edhe duke lënë mënjanë “retorikën që është krejtësisht normale në rajon”, thotë Schmidt, ka arsye për të pasur “shqetësime serioze”. “Marrëveshja ndërkombëtare e paqes po lëkundet”- thekson Schmidt,që shton se planifikon t’ia bëjë të qartë entitetit serb, se nuk mund të shkëputet nga Bosnja.
Bosnja ka qenë prej kohësh nyja gordiane e Evropës. Në vitin 1914 një serb etnik qëlloi për vdekje trashëgimtarin e fronit austriak, duke ndezur kështu spiralen e dhunës që do të bëhej shkak për nisjen e Luftës së Parë Botërore. Po në këtë vend në vitin 1992tensionet etnike u shndërruan në luftë.
Ballkani Perëndimor – shtëpia e 6 kombeve që nuk kanë ndonjë perspektivë reale për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – ka të ngjarë të përcaktojë nëse do të jetë e mundur një paqe e qëndrueshme në zemër të Evropës. Lojtari kryesor rajonal në këtë lojë është presidenti serb Aleksandar Vucic.
Ai qeveris 7 milionë qytetarët e vendit të tij nga Beogradi, 4 orë me makinë në lindje të Banja Lukës. I vlerësuar nga kancelarja gjermane në largim Angela Merkel, si një “spirancë” e stabilitetit në rajon, Vucic është i aftë të përfitojë nga paqëndrueshmëria e dukshme e BE-së, duke e ndezur konfliktin në rajon,duke u shfaqur më pas si njeriu që ul tensionet.
Ai bën të njëjtën gjë në rajonet e tjera të Ballkanit ku ka pakica serbe.
Duket e pamundur që Serbia, apo Rusia aleatja e saj tradicionale, të mos jenë vërtet të interesuara për një Republika Srpska të pavarur. Por në negociatat me Brukselin apo Uashingtonin, një faktor destabilizues si Dodik ndihmon në demonstrimin e rëndësisë së tyre për ruajtjen e paqes në rajon.
Gjithsesi një shumicë solide në Bosnje shpreson se në fund do të dominojë arsyeja. Edhe në Banja Luka mijëra njerëz dolën në rrugë në fillim të këtij muaji për të protestuar kundër Dodik dhe korrupsionit të tij të dyshuar. Edhe në Sarajevë, shumë njerëz refuzojnë të dëgjojnë luftënxitësit.