Nga Jamie Shea “Friends of Europe”
Dy vjet më parë Komisioni Evropian shpalli ambicien e tij për një Evropë më gjeopolitike. Ideja ishte që Bashkimi Evropian të bëhej një lojtar më i fuqishëm dhe mëme ndikim në arenën globale, duke kombinuar me efektivet instrumentet e tij ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, për të formësuar në mënyrë aktive të ardhmen, në vend se vetëm të reagojë me vonesë ndaj krizave të përhershme.
Megjithatë, ashtu si bamirësia, edhe gjeopolitika fillon që në shtëpi. Aftësia e BE-së për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet në fqinjësinë e saj, do të jetë testi i pashmangshëm në rast se synimi për një “një Evropë më gjeopolitike” është diçka më shumë sesa një parullë tërheqëse.
Në këtë aspekt, në periferinë e Evropës nuk mungojnë krizat të cilat mund t’i mbajnë të angazhuar diplomatët e BE-së gjatë gjithë kohës. Për shembull, agresioni rus kundër Ukrainës dhe pushtimi i Krimesë dhe Donbasit, rikthimi i demokracisë në Gjeorgji, pasojat e luftës midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, apo tensionet e ri-ndezura së fundmi në Ballkanin Perëndimor.
Por nëse ka një mosmarrëveshje që mund t’i zhysë vendet anëtare të BE-së në një konflikt të armatosur, i cili mund të përshkallëzohet me shpejtësi duke dalë jashtë kontrollit, është ai që ekziston në Mesdheun Lindor. Dhe pikërisht këtu, kapaciteti i BE-së për gjeopolitikë do të përballet me testin e besueshmërisë.
Prapa fërkimeve aktuale në Mesdheun Lindor janë 3 faktorë nxitës. E para është grindja historike midis Greqisë dhe Turqisë për ujërat e tyre territoriale në Egje dhe Mesdheun Lindor. Kjo është një çështje e zvarritur për dekada me radhë, dhe e trajtuar në më shumë se 60 raunde negociatash dypalëshe, pa iu afruar për fat të keq një zgjidhje, e lëre më pastaj arritjes së një marrëveshje për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare, mbi të cilën të bien dakord të dyja vendet.
Greqia këmbëngul që t’i trajtojë ishujt e saj në Egje, disa prej të cilëve ndodhen vetëm disa kilometra larg brigjeve turke, si ekuivalenti i pjesës kontinentale, dhe rezervon të drejtën sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit (UNCLOS) për t’i zgjeruar ujërat e saj territoriale deri në 12 milje detare rreth këtyre ishujve.
Kjo do t’i reduktonte ndjeshëm ujërat territoriale të Turqisë. Por edhe ambiciet turke janë të tepruara. Politikanët dhe udhëheqësit ushtarakë turq, flasin shpesh për një “atdhe blu” (mavi vatan në turqisht),dhe i prezantojnë publikut shtrirjen e ujërave territoriale turke në Mesdheun Lindor, që janë të barazvlefshme me 2/3 e madhësisë totale të vetë Turqisë.
Kjo hartë e propozuar nga Ankaraja do ta izolonte Athinën, duke e ndarë atë nga shumica e ishujve të saj apo nga bashkatdhetarët e saj etnikë në Qipro. Vazhdimi i këtyre mosmarrëveshjeve territoriale ka bërë që si Greqia po ashtu edhe Turqia, të mbrojnë pretendimet e tyre duke dërguar anijet luftarake dhe avionët luftarakë në zonat e kontestuara. Dhe siç po e shohim në përplasjet midis Rusisë dhe NATO-s në Detin e Zi, apo Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në Ngushticën e Tajvanit, afërsia e madhe e trupave ushtarake midis fuqive rivale nuk është asnjëherë një gjë e mirë.
Kësisoj ne jemi mësuar të shohim gjatë muajve të verës tensione të vazhdueshme ushtarake midis Athinës dhe Ankarasë, kur të dyja palët kryejnë stërvitjet e tyre të mëdha. Kohët e fundit Greqia është shfaqur shumë e shqetësuar nga modernizimi i shpejtë i ushtrisë turke, i nxitur nga rritja e buxhetit të mbrojtjes dhe blerja e sasive të mëdha të armatimeve të reja (përfshirë ato nga Rusia), si dhe nga oreksi në rritje i ushtrisë turke për ndërhyrje të huaja.
Po ashtu Turqia ka zhvilluar një industri të vetën të mbrojtjes në shkallë të gjerë dhe të teknologjisë së lartë. Të mbështetura tek këto aftësi të reja, forcat turke kanë ndërhyrë në Libi, Irak dhe Siri.
Fitorja e Azerbajxhanit mbi Armeninë vitin e kaluar, dhe suksesi i tij në rimarrjen e një pjese të enklavës së diskutueshme të Nagorno-Karabakut, ndodhi kryesisht për shkak të mbështetjes së madhe ushtarake të Turqisë duke përfshirë inteligjencën, komandën dhe kontrollin, aftësitë e luftës elektronike, dhe përdorimin e dronëve ushtarakë turq TB2.
Për këtë arsye, Greqia i është drejtuar për mbështetje dhe siguri aleatëve të saj. Vetëm javën e kaluar, Athina nënshkroi një marrëveshje të re të mbrojtjes me SHBA-në. Ajo i ka ofruar SHBA-së baza të reja ushtarake në Greqi dhe zgjerimin e bazës detare në Gjirin e Sudas në Kretë për të akomoduar më shumë anije luftarake të SHBA-së.
Ndërkohë Greqia është afruar më shumë me Francën, teksa Parisi është i shqetësuar nga aventurizmi i Turqisë në Afrikën Veriore dhe ndërhyrja e saj në Libi. Franca ka nënshkruar disa kontrata për ta furnizuar Greqinë me avionë luftarakë të rinj dhe të përdorur, si dhe fregata të reja.
Dy javë më parë, ajo nënshkroi një aleancë për ndihmën ushtarake ndaj Greqisë, që supozohet se ka në fokus Turqinë. Ky është edhe shembulli i parë i një “aleance brenda aleancës”, ku aleatët e NATO-s krijojnë pakte kundër njëri-tjetrit, teksa në të njëjtën kohë ruajnë angazhimin e tyre ndaj Nenit 5 të aleancës, për të mbrojtur të njëjtin vend që
ata e perceptojnë si një kërcënim kundër agresionit të jashtëm.
Nuk është vetëm Ankaraja, por edhe kryeqytetet e tjera të vendeve anëtare të NATO-s që kanë shprehur habinë e tyre për një veprim të tillë. Kalimi nga lëndët djegëse fosile dhe gazi,tek burimet e rinovueshme, do të bëjë që vlera dhe rëndësia e rezervave të Mesdheut Lindor të bjerë me shpejtësi me kalimin e kohës.
Së dyti, Turqia e ka prishur statuskuonë e Qipros si pjesë e përpjekjes së saj për t’u bërë një fuqi revizioniste. Ankaraja po mbron tashmë ndarjen formale dhe zgjidhjen e konfliktit përmes formimit të 2 shteteve, në kundërshtim me OKB-në dhe konsensusin ndërkombëtar që është në favor të ribashkimit të Qipros përmes një zgjidhjeje politike federale ose konfederale.
Kohët e fundit presidenti turk Erdogan i nxiti turqit qipriotë qëtë rihapnin dhe merrnin nën kontroll qytetin fantazmë të Varoshës, i braktisur që nga konflikti i vitit 1974, dhe që ishte menduar të trajtohej si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare të Qipros.
Ankaraja ka folur edhe për ngritjen e një baze dronësh në Qipron Veriore, si dhe ngritjen e një baze të përhershme detare, duke rritur kështu praninë e saj ushtarake në ishull,kur tashmë ka 30,000 trupa, dhe përdorimin e saj për projeksionin e fuqisë rajonale të Turqisë.
Së treti, Mesdheu Lindor ka fituar një rëndësi ekonomike dhe gjeostrategjike në rritje pas zbulimit të rezervave të mëdha të gazit në brigjet e Izraelit, përkatësisht fushat Tamar dhe Leviathan, por edhe ato në Liban dhe Egjipt. Aktualisht, rezervat e zbuluara në këtë zonë vlerësohen në 708 miliardë metër kub gaz.
Për t’i shfrytëzuar këto burime, Greqia, Qiproja, Izraeli, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë krijuar një konsorcium, të njohur si Forumi i Gazit Mesdhetar Lindor, por pa përfshirë Turqinë. Siç mund të pritej, Ankaraja ka reaguar duke pretenduar zonën e saj ekskluzive ekonomike për eksplorim dhe shpime,por edhe në emër të Qipros Veriore. Strategjia e faktit të kryer gjithashtu ka ecur përpara.
BE-ja duhet të punojë krah për krah me OKB-në për të zbutur krizat, dhe për të arritur një lloj progresi praktik. Kjo bart një sërë sfidash. Në radhë të parë është sfida ligjore. Si mund t’i bindim Athinën dhe Ankaranë që të bien dakord mbi një kornizë të përbashkët të së drejtës ndërkombëtare për të zgjidhur çështjet e tyre territoriale?
Ka shumë precedentë, ai midis Norvegjisë dhe Rusisë që kufizon shelfin kontinental. Apo rasti i kohëve të fundit kur Greqia dhe Italia ranë dakord për përcaktimin e kufijve të ujërave të tyre territoriale në anën perëndimore të Mesdheut Lindor. A mund të bien dakord Athina dhe Ankaraja për ndonjë formë arbitrazhi të udhëhequr nga OKB-ja, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit?
Sfida tjetër është ajo diplomatike. BE-ja duhet të përfshihet më shumë në negociatat e Qipros, dhe ta distancojë Turqinë nga militarizimi i mëtejshëm i veriut. Meqë ishin grekët qipriotë ata që hodhën poshtë planin Anan për ribashkimin e ishullit në një referendum 20 vjet më parë, duhet që Brukseli të bindin qeverinë në Nikozia që të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët e saj turko-qipriotët veriorë.
Së fundmi, është sfida që vjen nga vetë Turqia. S’ka asnjë dyshim se kriza në Mesdheun Lindor është e nxitur kryesisht nga ndryshimet në politikën turke, dhe në orientimin strategjik të vendit gjatë dy dekadave të fundit. Turqia nuk e sheh më veten si një aneks të NATO-s apo të Perëndimit në Lindjen e Mesme apo Kaukaz.
Ashtu si Britania e Madhe pas Brexit-it, ajo është e fiksuar pas sovranitetit të saj, perceptimit të identitetit të saj kombëtar dhe ndjekjes së lirisë së saj të plotë të veprimit të pakufizuar nga lidhjet shumëpalëshe institucionale apo tradicionale.
Që kur Brukseli filloi negociatat e anëtarësimit me Ankaranë në tetor 2005, vendi është larguar nga BE-ja. Aktualisht procesi është i ngrirë pasi Ankaraja e ka humbur interesin. Ndaj ka ardhur koha që BE-ja të ketë një qasje të re. Edhe nëse Turqia nuk ka gjasa të tërheqë kërkesën e saj formale për anëtarësim,edhe BE-ja ka po aq pak gjasa që t’ia mbyllë derën njëherë e përgjithmonë Ankarasë.
Kjo qasje e re duhet të bazohet në stimuj pozitivë dhe negativë në çdo fushë kyçe të angazhimit BE-Turqi. Për shembull, që Turqia të ketë një qasje më të përmbajtur dhe bashkëpunuese për kërkimin e gazit në Mesdheun lindor, BE mund të ofrojë negociata për zonat e njohura të kërkimit, duke përfshirë një zonë për Turqinë.
Njëherazi, BE s’duhet ta braktisë Turqinë pavarësisht nga zhgënjimet që i ka shkaktuar. Ajo është një aktore rajonale e madhe, me një rrjet të dendur lidhjesh dhe ndikimi në të gjitha drejtimet:një aleat i NATO-s, një fuqi e rëndësishme ushtarake, dhe një mburojë e mundshme për Evropën kundër shumë prej destabiliteteve që vijnë nga jugu, veriu dhe lindja.
Marrë me shkurtime
Shënim: Jamie Shea, anëtar i think-tankut “Friend of Europe”, ish-zëvendësndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.