Nga Mentor Nazarko
Ndërsa mediat vendore dhe kombëtare janë përmbytur me lajme për përplasjen e madhe që pritet të ndodhë në kështjellën e demokratëve në 8 janar, thuajseheshtja analitike pllakosi për një ngjarje të madhe: Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një ngjarje, e cila është vërtet nga ato që ndodh njëherë në 100 vjet. Falë rotacionit, falë lobimit, përfaqsimit gjeografik, etj, fakti i madh mbetet dhe aq me peshë, sa me të janë marrë gazetat greke, por jo ato shqiptare për të kuptuar më mirë se ç’pritet të ndodhë paskëtaj. Ndaj ja vlen të nxitet një farë orteku reagimesh, për një ngjarje, e cila hëpërhë përciptas, e lidhur me Kosovën është interpretuar ose „si mundësi për të anuluar ose reduktuar raportimin e UNMIK në Këshill- mbetje e rezolutës 1244“, ose nga vetë Shqipëria „si mundësi për të lobuar për njohjet e reja të Kosovës. Të dy pretendime sipërfaqësore, ose irreale. „Pazari i vërtetë“ është shumë më shumë.
Së pari, nisur nga numri i diplomatëve (në raport me vitet e zakonshme) që janë thirrur të shërbejnë në OKB-, Shqipëria fiton shumë në planin e burimeve njerëzore ( duke shpresuar se do trajtohen mirë financiarisht). Kjo do jetë për ta një eksperiencë unike, pranë vatrës kryesore të formësimit të së drejtës ndërkombëtare, të zbatimit të saj, të negociatave diplomatike, etj dhe le të shpresojmë se kjo eksperiencë e injektuar në shërbimin tonë diplomatik anembanë botës, do të rrisë cilësisht imazhin dhe aktivitetin tonë këto dy vjet dhe pas tyre. Mbase do durojmë dhe dy vjet pa rotacionin e shumëpritur nëpër shumë ambasada në rajon, apo dhe në BE, për të thithur ajkën e diplomatëve që po formohen në Kullën e Diplomacisë Botërore, apo në Direktoratin e Botës. Puna në Këshill, në komitetet apo grupet e punës, është vetëm ajo që imagjinohet, në funksion të rritjes aktuale dhe perspektive të peshës ndërkombëtare të një vendi të vogël, e kombi të vogël prapëseprapë, edhe sikur të llogaritësh gjithë shqiptarët anembanë globit.
Pesha e vendit rritet. Në Këshill të Sigurimit merren vendime të rëndësishme për konfliktet, paqen, pasojat e tyre, në gjithë botën dhe pesha e votës së seicilit shtet është e madhe, pavarësisht rreshtimit tonë properëndimor. Gazeta greke To Vima përmendte se me rotacionin e ri, në Këshill, BAshkimi Europian do të ketë vetëm dy anëtarë- Francën dhe Irlandën, ndërsa Anglia ka dalë jashtë. Pra, do na duhet ndonjëherë të ndahemi midis SHBA-ve dhe BE-së, ndonëse kjo administratë amerikane, ngjan më proeuropiania. Në organin ku Gjermania, Japonia apo të tjerë lobojnë për të qenë anëtarë të përhershëm, Shqipëria do të rrijë dy vjet, dhe kjo nuk është diçka e pallogaritshme dhe në pikëpamje të transaksioneve të ndryshme diplomatike. Pra Shqipëria po rrit peshën e saj ndërkombëtare, do të trajtohet ndryshe në plan rajonal dhe europian, apo dhe më gjerë, dhe bashkë me të edhe shqiptarët si komb. A ka mundësi? Sigurisht, dhe kjo duhet të ndodhë me një plan a strategji, të cilën ne nuk e kemi dëgjuar, nuk e kemi parë, dhe mbase kështu do duhej të ishte, për arsye të rezervimit normal diplomatik. Shqipëria do duhet t’i shërbejë paanshmërisht kauzave të mëdha të drejtësisë dhe paqes botërore. Kjo nuk do të thotë megjithatë se duhet të injorojë interesin e vet kombëtar, veçanërisht Kosovën, e cila nuk ka reaguar zyrtarisht: as presidenca, as kryeministria dhe as ministria e jashtme. „Të reduktojë apo të eleminojë raportimin e UNMIK?“- si propozonte dikush nga Kosova? Le të jemi realistë- këtë nuk e ka bërë dot as SHBA dhe Anglia, e jo ta bëjë Shqipëria, anëtar i përkohshëm i KS të OKB. „T’i shërbejë njohjeve të Kosovës?“- mbase. Ndonjë njohje dhe mund ta arrijë, mirpo njohjet e Kosovës duket qartë se ose kanë fituar vlerë financiare apo transaksionale të papërballueshme, ndërsa pista kryesore e integrimit ndërkombëtar të Kosovës është dialogu me Serbinë. Nëse dialogu ecën para, njohjet nuk kanë asnjë vlerë, me përjashtim të atyre të vendeve të BE-së, ku pazari është i madh, (dmth koncesionet që duhet të japë Kosova në këmbim-psh gazsjellësi për njohjen greke), apo që duken të ndërlidhura gjithashtu me fundin e dialogut me Serbinë. T’ i shpallim luftë Serbisë dhe Rusisë duke e patur afër, sup më sup, si bëjmë shpesh nga dritaret e rrjeteve sociale në hapësirën tonë kombëtare- thoshte dje një ish ambasador i Kosovës?Jo, të bëjmë diplomaci me Rusinë dhe Serbinë , sepse çdo përfundim i dialogut do të legalizohet gjithsesi në Këshill të Sigurimit.
Kësisoj, dialogu me Serbinë, në pikëpamje kohore është ngjarja më e rëndësishme që ndodh ndërsa Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit. Dhe Shqipëria nuk mund të rrijë duarjashtë, sipas besimit egocentrik të një pjese të elitës intelektuale e politike të Kosovës: me Serbinë, duhet të ballafaqohet vetëm Kosova, apo se Shqipëria duhet të veprojë përballë Serbisë vetëm nën urdhërat e Kosovës- lexo udhëheqësit e saj. Shqipëria duhet të sinkronizohet me Kosovën në çdo rast dhe për gjithçka, sipas një strategjie kombëtare, e cila nuk duket, nuk ndihet eskund, madje nuk u përmend as në takimin e Elbasanit. Kur fuqizohet Shqipëria, fuqizohet Kosova dhe anasjelltas. Modeli? Mjafton të shohim si veprojnë fqinjët tanë me diasporat e tyre, dhe gjejmë atje plot mësime- por ky është objekt i një shkrimi tjetër.