MENU
klinika

Analiza

Pse Vuçiç është një kërcënim i madh për Evropën

08.01.2022 - 09:04

Nga Florian Bieber “Foreign Policy

Në nëntorin dhe dhjetorin e vitit të kaluar, mijëra qytetarë serbë bllokuan rrugët në qytetet kryesore të vendit për 3 fundjava rresht, për të protestuar kundër një projektligji, që e lehtëson procesin e shpronësimit, dhe që mendohet se favorizon një miniere litiumi në Serbinë Perëndimore, e cila do shfrytëzohet nga kompania shumëkombëshe “Rio Tinto”.

Protestuesit janë të shqetësuar për mungesën e transparencës rreth këtij projekti. Ata i frikësohen dëmeve serioze në mjedis, dhe korrupsionit në shkallë të gjerë. Gjatë protestave të para, persona me precedentë penale rrahën me shkopinj protestuesit, dhe u përpoqën t’i shtypnin protestuesit me një buldozer në Sabac, qyteti më i afërt me minierën që planifikohet të hapet.

Ata u dërguan atje me makina qeveritare, dhe s’kishte asnjë dyshim se po i kërcënonin demonstruesit në emër të regjimit. Sot asnjë vendim nuk mund të merret në vend pa miratimin e presidentit Vucic, që shfaqet për orë të tëra çdo javë më emisione televizive në të gjitha televizionet kryesore.

Ai e cilësoi marrëveshjen një investim të madh, dhe i ofroi mbështetje politike direkte. Porprotestat treguan se edhe pse Vucic mund të ketë një kontroll absolut mbi vendin – 188 nga 250 anëtarët e parlamentit i përkasin partisë së tij, e cila kontrollon gati çdo komunë në vend – sundimi i tij nuk është i pakontestueshëm.

Pasi protestat u zgjeruan, Vucic u duk fillimisht sikur u tërhoq nga mbështetja për projektin. Por më 27 dhjetor, ai e ripërsëriti mbështetjen e tij. Një tjetër element në javët e fundit nënvizoi anën kërcënuese të regjimit të Vuicic. Në qendër të Beogradit, mbi një mur është vizatuar një figurë, që duket se nuk do të fshihet ndonjëherë.

Është një murale kushtuar Ratko Mladic, kriminelit serb të luftës, përgjegjës për gjenocidin në qytetin e Srebrenicës në Bosnje në vitin 1995. Portreti i Mladic – që po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, pasi u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë- u ​​shfaq në Beograd në korrik, por edhe në shumë qytete të tjera në Serbi dhe Republikën Srpska, entiteti serb i Bosnjës që ai ndihmoi të themelohej përmes krimeve të luftës.

Ato nuk janë portretet e para të Mladic në ambiente publike. Por tani po shfaqen me një frekuencë në rritje, ndërsa rastet e mëparshme gëzonin më pak mbrojtje zyrtare. Qytetarët vazhdojnë të përpiqen që t’i fshijnë këto portrete. Por banditët vazhdojnë të restaurojnë portretin më të spikatur në një lagje qendrore të Beogradit.

Kur dy aktivistë hodhën vezë mbi portretin e Mladic, ata u arrestuan nga disa policë të veshur me rroba civile. Ndërsa mediat e nacionaliste të afërta me regjimin, pretendojnë hapur se Mladic ishte një hero, qeveria serbe e ka mbrojtur muralen. Rasti më i fundit i mbështetjes publike ndaj Mladic, ndodhi kur Ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin kreu një vizitë tek muralja pas arrestimeve të 9 nëntorit 2021.

Karakteri nacionalist dhe autoritar i qeverisë serbe, përbën një kërcënim për Serbinë dhe rajonin. Pretendimi i Vuicic se është një konservator evropian pragmatik, mund të ishte dukur më bindës në vitet e tij të para në pushtet. Por sot, ai tingëllon gjithnjë e më i zbrazët.

Kursi autoritar i Vucic, e ka distancuar gjithnjë e më shumë Serbinë nga Perëndimi dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa partia e tij u mbështet nga ambasadat perëndimore në vitet e para të saj në pushtet, me shpresën se po promovonin një politikan pragmatik, me të cilin mund të bësh biznes, Vucic dhe mediat që kontrollon qeveria e tij, kanë promovuar një linjë anti-perëndimore.

Një sondazh rajonal i porositur nga Grupi Këshillimor i Politikave të Ballkanit në Evropë, tregon se 80.4 për qind e qytetarëve të rajonit, duan që vendi i tyre të anëtarësohet në BE. Në Serbi, kjo shifër është vetëm 53.2 për qind. Kina dhe Rusia, shihen si mbështetëset më të mëdha dhe më të besuara, pavarësisht nëse kjo ndodh për shkak të vaksinave anti-Covid qëata dhuruan, apo për drejtuesit e tyre.

Kjo pikëpamje është komplikuar më tej me pandeminë, dhe Kina shihet si ofruesja kryesore e ndihmës – edhe pse Beogradi i bleu vaksinat nga Pekini, dhe nuk ka asnjë informacion publik mbi shumën e paguar – ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja shihen si përhapëse të lajmeve të rreme.

Ky është rezultat i një fushate intensive anti-perëndimore nga mediat pro-qeveritare, të cilat i akuzojnë vazhdimisht qeveritë perëndimore, por edhe ato pak media të pavarura, përfshirë edhe degën e CNN në Serbi, N1, se janë organe të propagandës anti-serbe.

Edhe sa i përket mbështetjes së serbëve për BE-në, ka një prirje qartazi autoritare. Sondazhet tregojnë se udhëheqësi më popullor botëror, pas presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij kinez Xi Jinping, është kryeministri autokrat i Hungarisë Viktor Orban.

Pra kur serbët shohin nga Evropa, ata e kthejnë kokën nga Budapesti, dhe jo nga Berlini. Ndërsa në vitin 2015, Vucic e kritikoi Orban për qasjen e tij armiqësore ndaj migracionit, dhe e përshkroi Serbinë një vend më evropian se sa disa anëtarë të BE-së – një aludim i qartë për Hungarinë – që nga ajo kohë, ai e ka zëvendësuar marrëdhënien e tij komode me kancelaren e atëhershme gjermane Angela Merkel, me një miqësi të ngushtë me Orban.

Ndonëse Gjermania mbetet ende një aleate e rëndësishme për sa i përket investimeve ekonomike, por edhe për shkak të peshës së saj në BE, Vucic shkon më mirë me një homolog autokrat. Orban i premton një marrëdhënie më të ngushtë me BE-në, për atë që është Serbia nën Vucic – një regjim nacionalist dhe autoritar – ndërsa Gjermania e ofron këtë vetëm për atë që Serbia pretendon të jetë nën Vucic:një faktor pro-evropian i stabilitetit në rajon.

Qeveria e re gjermane, me Annalena Baerbock si Ministre e Jashtme nga Të Gjelbrit, ka të ngjarë të ushtrojë më shumë presion mbi çështjet e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Serbi. Kthesa kundër Perëndimit, e kombinuar me qeverisjen autoritare të Vucic, ka rëndësi përtej Serbisë.

Ndërsa qëndrimet gjetkë në rajon janë ende shumë të ndryshme, ekziston një kërcënim real i “infektimit” nga modeli serb. Përveçse është të paktën dy herë më e madhe se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor, Serbia kufizohet me të gjithë të tjerët (përveç Shqipërisë), dhe synon që të ndikojë mbi rajon në dy mënyra.

Së pari, ajo prezantohet si një lidere rajonal përmes nismës “Open Balkan” për integrimin rajonal. Ideja e një rajoni të integruar të bazuar tek kufijtë e hapur, e njohur si “Mini-Shengen” do t’i garantonte Serbisë përfitime ekonomike më të mëdha, dhe do ta lidhte më shumë me pjesën tjetër të rajonit.

Politika ndërkombëtare dhe rajonale e Vucic, bazohet ende në jehonën e zbehtë të Jugosllavisë socialiste, e cila si vend arriti një ndikim mbi peshën e saj reale. Qasja tjetër dhe deri diku kontradiktore është e ashtuquajtura “Bota serbe”, një term i huazuar nga Rusia, dhe që përshkruan në thelb një sferë ndikimi serb të bazuar tek përkatësia etnike.

Serbia ka ndikim përmes partive serbe në Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Edhe nëse nuk i kontrollon plotësisht të gjitha, kjo i lejon Serbisë të formësojë politikën e brendshme të fqinjëve të saj, dhe të bllokojë vendimet kryesore. Duke ndërtuar një sferë ndikimi, Serbia mund t’i përhapë në të gjithë rajonin politikat e saj autoritare anti-perëndimore.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë