Policia e Korçës ka arrestuar dy persona ndërsa 4 të tjerë janë nën hetim pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
51-vjeçari me inicialet L.D., ka rënë në pranga pasi akuzohet për dhunë në familje. Mësohet se ai ka ushtruar dhunë ndaj gruas.
Ndërsa A.T., 20 vjeç është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit të policisë në mjetin me të cilin udhëtonte i riu, në çantën personale të tij u gjetën dhe u sekuestrua një dorezë hekuri.
Blutë e Korçës njoftojnë ndër të tjera se po hetohen në gjendje të lirë për veprën “Prerja e paligjshme e pyjeve”, A.K., 30 vjeç së bashku me M. Ç., 41 vjeç.
Dy personat në fjalë, janë konstatuar me mjetet tip “Mitsubishi” dhe mjetin tip “Golf”, pa targa dhe pa dokumente, duke transportuar dru zjarri pa lejen përkatëse.
Sakaq, në gjendje të lirë po hetohen edhe J.H., 44 vjeç së bashku me F.Ç., 35 vjeç, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm.
Raportohet se në fshatin Ponçarë, këta dy persona u konstatuan duke kryer punime në ndërtimin e një objekti kulti, pa leje.