Karburantet janë shtrenjtuar sërish ditët e fundit duke rënduar më tej buxhetet e familjeve shqiptare.
Nafta së fundmi duket se po i afrohet nivelit të 200 lekë për litër. Në disa pika të karburanteve në kryeqytet nafta shitet për 193 lekë, duke u shtrenjtuar me gati 8 lekë në raport me rritje e fundit.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku nafta tregtohej për rreth 148 lekë litri, qytetarë po e blejnë atë aktualisht me rreth 45 lekë më shtrenjtë.
Rritja ka vijuar edhe për benzinën. Aktualisht, në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve benzina tregtohet për rreth 195 lekë për litër duke shënuar një shtrenjtim të ngjashëm me naftën, teksa nuk ka ndalur shtrenjtimin as çmimi i gazit.
Ky i fundit në disa nga karburantet shitet për rreth 94 lekë për litër.
Tendenca e rritjes së çmimeve të karburanteve nuk është ndalur që prej shkurtit të vitit të kaluar, ku që prej asaj kohe janë shtrenjtuar në mënyrë graduale.
Rritja po reflekton ndryshimet e paketës fiskale me vendosjen e taksave të reja, kryesisht prej indeksimit të akcizës në bazë të inflacionit që ka hyrë në fuqi prej janarit të këtij viti.
Ndërkohë, nga 1 korriku 2022 do të marrë fuqi edhe ndryshimi ligjor për unifikimin e akcizës së gazit në 6 lekë për litër për të gjitha llojet e përdorimit, çka pritet të sjellë rritje të mëtejshme të çmimit të tij.