Sezoni i lartë turistik është duke dhënë sinjalet e para në bregdet dhe hapësirën përreth vijës bregdetare.
Këtë vit pritshmëritë janë për një turizëm që nuk ngelet vetëm tek profili masiv por që eksploron edhe thellësitë e territorit, historitë lokale, eksperiencat, monumentet, jetën në fshat, malet, liqenet, lumenjtë, aktivitetet në natyrë përmes grupeve të vogla të turistëve të aventurës, kulturës, ekoturizmit.
Kjo qasje e re ka nxitur dy bashkitë kufitare të Jugut atë të Sarandës dhe Finiqit të koordinohen për të integruar ofertën turistike në funksion të zgjatjes së kohëqëndrimit të vizitorëve në një territor që tashmë e tejkalon Sarandën.
Të dy bashkitë kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ku në themel janë dakordësuar të nxisin një klimë të favorshme për bizneset e turizmit me fokus tek investimet në informim, inovacion, dhe prezantime të ofertës në panaire rajonale dhe ndërkombëtare.
Kjo është hera e parë që flitet për një organizatë të menaxhimit të destinacionit të të dy bashkive në funksion të krijimit të markës dhe rritjes së standarteve. Saranda pret në vite të zakonshëm gati 750 mijë vizitorë të huaj për të cilët oferta ende është e kufizuar në vizita një ditore ndërsa thellësia e territorit ende është në hapat e parë të investimit në sektorin e turizmit, kjo edhe për shkak të nivelit shumë të lartë të emigracionit por edhe mungesës së ekspertizës në turizëm.