Një grup eurodeputetësh në Parlamentin Europian i kanë kërkuar presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, që të anulojë finalen e Champions League që është planifikuar në San Petersburg në këtë edicion, për ta shpërngulur në një qytet tjetër jashtë Rusisë si pasojë e situatës që po zhvillohet në Ukrainë.
“Duke parë situatën e rënduar pas njohjes nga ana e Putin të republikave separatiste të Donbas dhe pushtimin e trupave ruse në Ukrainë, është e qartë se qyteti i San Petersburgut nuk mund të presë finalen e Champions League më 28 maj”, tha eurodeputetja gjermane e “Të Gjelbërve”, Viola von Kramon-Taubadel.
Kjo nuk dukej thjesht një sugjerim, por më shumë si një urdhër. Gjithashtu kanë kërkuar që UEFA të ndërpresë edhe marrëveshjen e sponsorizimit të kompanisë “Gazprom”, e cila që nga viti 2012 është një nga sponsorët kryesorë të Champions.
Tani mbetet të shihet si do të reagojë UEFA, teksa komenti i vetëm ka qenë se “po monitoron nga afër situatë dhe çdo vendim do të merret kur dhe nëse do të jetë e nevojshme”, por duke shtuar se “për momentin nuk ka plane për ndryshim”.