MENU
klinika

Asambleja Zgjedhore

Rizgjidhet në krye të FSHF, Duka: Shpifjet i shmang me sportivitet

15.03.2022 - 13:49

Armand Duka është rizgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit edhe për një mandat tjetër katër vjeçar! Mesditën e sotme, Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së rizgjodhi Dukën në drejtim të futbollit shqiptar, në një garë ku nuk ishte vetëm, por kishte përballë Sulejman Starovën dhe Dritan Shakohoxhën.

Të pranishëm në këtë Asamble që u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit ishin 43 nga 55 anëtarë, teksa Armand Duka siguroi drejtimin e FSHF duke marrë në total 37 vota të vlefshme, ndërkohë që Sulejman Starova mori 4 vota, e Dritan Shakohoxha asnjë votë. Nga numërimi, dy vota rezultuan të pavlefshme.

Në fund të procesit, Duka mbajti edhe një fjalë të shkurtër përpara anëtarëve të Asamblesë, të cilët i falënderoi për votëbesimin e i garantoi se do të jetë në shërbim të secilit prej tyre, por edhe të atyre që nuk ishin të pranishëm në sallë përgjatë këtij mandate 4 vjeçar! Ai ftoi edhe të gjithë aktorët e vendit për të kontribuar në zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

“Të nderuar anëtarë të Asamblesë, jam vërtetë i emocionuar, por në të njëjtën kohë edhe i obliguar për këtë votëbesim të sotëm nga ana juaj! Pa dyshim që secili prej jush, përveç votës e ka edhe një vërejtje për mua, por jo vetëm ju! Edhe ata që nuk janë në këtë sallë, sportistë, trajnerë, tifozë.

Ju garantoj që të gjitha këto vërejtje, që i kam dëgjuar dhe do të vazhdoj t’i dëgjoj  do t’i respektoj, do t’i mbaj shënim dhe do t’i korigjoj përgjatë gjithë këtij 4-vjeçari në drejtimin e FSHF-së. Në të njëjtën kohë kam dëgjuar dhe do të vazhdoj dëgjoj baltë, shpifje, ofendime.. ju siguroj, që do t’i shmang ato, ashtu si vetë loja jonë, me sportivitet.

Sot, është një ditë e mbarë dhe unë dëshiroj pas një periudhe të vështirë, pas një fushate që ju e keni ndjekur, dëshiroj të lë pas ato që kemi kaluar përgjatë këtyre dy muajve. Dëshiroj që bashkë me ju, bashkë me ata që nuk janë në këtë sallë, bashkë me aktorët dhe faktorët e vendit, të kontribojmë, të derdhim të gjitha energjitë tona pozitive për zhvillimin e futbollit, për zhvillimin e lojës sonë të dashur dhe mirëorganizimin, mirëqeverisjen e institucionit tonë qendror, Federatës Shqiptare të Futbollit, në të cilën të gjithë ju keni hedhur nga një gur. Jo vetëm ju, por edhe breza para nesh!

Edhe njëherë, ju falënderoj përulësisht, gjithësecilin nga ju, për mbështetjen dhe ju garantoj që do të jem në shërbimin tuaj përgjatë 4 viteve të ardhshme!” – u shpreh Duka.

Presidenti dhe trajneri kokë më kokë për të ardhmen

Kriza e Realit, Perez lëkundet për Ançelotin!

Kosova me renditjen më të mirë në histori

Renditja e FIFA-s, Shqipëria nuk ndryshon pozicion

Nuk kanë pësuar ende asnjë gol në 5 ndeshje

Interi është “bunkeri” që po mahnit… Europën

"Dua të jem golashënuesi më i mirë"

Jasir Asani nuk fshihet, synon ta mbyllë mbi Ronaldon