U zhvillua këtë të hënë mbledhja e parë e Komitetit të ri Ekzekutiv, i dalë nga Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së, që u mbajt më 15 mars. Në fillim të mbledhjes që u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, anëtarët e rinj të KE-së miratuan rendin e ditës, ndërsa më pas vijuan me pikat e rendit të ditës.
Zgjedhja e dy zëvendës-presidentëve të rinj ishte çështje e parë e diskutuar, ku 11 anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv vendosën që Lutfi Nuriu të vijojë të mbajë pozicionin e zëvendëspresidentit të parë, ndërsa Arben Dervishaj të jetë në pozicionin e zëvendëspresidentit të dytë.
Më tej, u bë edhe ndarja e Komisioneve të Përhershme të FSHF-së, ku Abdyl Kuriu u zgjodh në krye të Komisionit të Ligave dhe Garave, Lutfi Nuriu në krye të Komisionit të Ekipeve Kombëtare, Arben Dervishaj u zgjodh si drejtues i Komisionit të Infrastrukturës dhe Projekteve dhe Komisionit të Financave.
Sakaq, në krye të Komisionit të Futsalit, Minifutbollit dhe Futbollit në Rërë u vendos Ervin Canollari, ndërsa anëtarja e parë femër e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha u zgjodh në krye të Komisionit të Futbollit të Femrave. Envi Hicka u vendos të drejtojë Komisionin e Statusit të Lojtarëve dhe Komisionin Ligjor dhe atë të Licencimit, ndërsa në krye të Komisionit të Arbitrimit do të jetë Bardhyl Jera.
Përgjegjës për Komisionin e Futbollit të Fëmijëve dhe të Rinjve do të jetë Pano Xhixho, ndërsa drejtues i Komisionit Teknik dhe të Zhvillimit do të jetë Ylli Çekici. Ndërkaq, Komisionin e Mjekësisë Sportive do ta drejtojë Gjergji Petro.
U vendos gjithashtu të ngrihet edhe një Komision i Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimit në kuadër të implementimit të strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025” ku në një nga shtyllat e saj është komunikimi dhe transparenca.