MENU
klinika

Shqiptarët pretendojnë të paktën tre deputetë

Sot mbahen zgjedhjet në Serbi

03.04.2022 - 09:07

Në Serbi sot do të mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Janë rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.

Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të marrin tre deri në katër deputetë.

Ndërkohë, është shkruar se vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, më shumë se 6,000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve. Një veprim që aktivistët dhe studiuesit thonë se është për bërë për shkak se janë shqiptarë etnikë, shkruan Euractiv.

Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në vendin tonë të votojnë sikurse viteve të mëhershme, duke thënë se duan ta zbatojnë Kushtetutën e Kosovës. Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit.

Mësohet se serbët nga disa qytete do të nisen drejt Serbisë me transport të organizuar por nga disa komuna ata do të udhëtojnë edhe me veturat e tyre. Mbrëmë u raportua se në Shillovë të Gjilanit grupe serbësh pritën në radhë për t’u furnizuar me naftë për të shkuar dhe votuar në Serbi.

Po ashtu, u tha se karburante falas u dhanë në një pikë të derivateve, ku u theksua se për këtë janë përdorur paratë nga fondi për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.

Përndryshe, sondazhet thonë se Vuçiç mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e parë. Ndërsa opozitës së përçarë i jepen shanse vetëm në kryeqytet, Beograd.

Opozita i ka bojkotuar në masë të madhe zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020 për shkak të kushteve të padrejta. Tani pritet që disa koalcione të futen në parlament. Koalicioni Të Bashkuar për Serbinë (US), i përbërë nga një spektër i gjerë partish demokratike të qendrës së majtë dhe të djathtë, mund të marrë midis 15 – 20 për qind të votave. Kandidati i tyre presidencial, Zdravko Ponosh, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mund të fitojë edhe më shumë vota. Aleanca e re e majtë-gjelbër “Moramo” mund të kalojë gjithashtu pragun prej tre për qind të votave dhe të futet në parlament.

Skena e djathtë nacionaliste, e cila kandidon me pesë kandidatë presidencialë dhe pesë lista, po kalon një kohë shumë më të vështirë. Është e vërtetë që shumë votues janë të hapur ndaj parullave patriotike dhe nacionaliste. Mbi 80 për qind e qytetarëve të vendit refuzojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe rreth dy të tretat e shohin Rusinë si partnerin më të rëndësishëm. Megjithatë, të djathtët dhe nacionalistët nuk kanë vërtet shanse të mira për të hyrë në parlament. /KosovaPress/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zgjedhjet presidenciale në Serbi

Kandidatët dhe qëndrimi i tyre për Kosovën

Nuk i “ushqen” votuesit e tij me Kosovën

Vuçiç shpalos vizionin Serbia 2025