Çiklisti britanik Bradley Wiggins, fitues i Turit të Francës në vitin 2012 dhe 5 herë fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike, ka rrëfyer për mediat se është abuzuar seksualisht nga një trajner kur ishte 13 vjeç. Wiggins e bëri publik këtë fakt gjatë një interviste për “Men’s Health UK”.
“Jam dhunuar nga një trajner kur isha ende fëmijë. Një ngjarje që nuk e kam pranuar kurrë shpirtërisht, por që ka patur një impakt të fortë tek unë edhe kur isha i rritur. Jam përpjekur në gjithë këto vite që ta varros përgjithnjë këtë ngjarje”, – u shpreh Wiggins, tashmë 41 vjeç dhe i tërhequr nga sporti.
Çiklisti tha se të tregojë një ngjarje të tillë në familje asokohe ishte e pamundur, pasi ishte rritur nga njerku që nuk e donte. Ndaj, sporti i çiklizmit ka qenë një rrugëdalje për të. “Njerku im ka qenë agresiv me mua, ndaj u mbylla në vetvete. Kam qenë një adoleshent i çuditshëm dhe biçikleta ka qenë një shpëtim për mua”, – tha Wiggins