Vendimi i Wimbledon për të përjashtuar tenistët rusë dhe bjellorusë nga kampionati i ardhshëm ka ngjallur reagime të kundërta. Shoqatat e tenistëve profesionistë meshkuj dhe femra kritikuan zgjedhjen e turneut të Londrës.
Me ta u rreshtua edhe Novak Djokovic, i cili pas betejës kundër vaksinës, vendosi të marrë pjesë edhe në mbrojtjen e kolegëve rusë dhe bjellorusë. Numri një në botë e quajti ndalimin e tyre “të çmendur”.
“Unë gjithmonë do ta dënoj luftën, kurrë nuk do ta mbështes luftën duke qenë vetë fëmijë i luftës, i rritur gjatë luftërave civile që pasuan rënien e Jugosllavisë. Jam i vetëdijshëm për traumën emocionale që një ngjarje e tillë lë pas, të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur në Serbi në vitin 1999. Megjithatë, tenistët dhe sportistët në tërësi, nuk kanë lidhje me luftën. Kur politika ndërhyn me sportin, rezultati nuk është i mirë”, tha Djokovic.
Medvedev dhe Rublev, përkatësisht numri 2 dhe 8 në botë, do të jenë më të penalizuarit nga mospjesëmarrja në Wimbledon, teksa do të humbasin shumë pikë.