Ndonëse kanë kaluar disa javë prej Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, gjërat duket se nuk janë qetësuar në futbollin kosovar, madje edhe mes klubeve “opozitare” dhe FFK-së.
Pa u marrë vesh me klubin kryeqytetas, FFK-ja ka bërë një veprim “tinëzar” në fushën e Prishtinës në Bërnicë, e cila i ishte ndarë klubit nga Qeveria e Kosovës, gjatë kohës kur kjo e fundit drejtohej nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur që në këtë hapësirë të Prishtinës, të ndërtojë një stadium për fëmijët me nevoja të veçanta, projekt ky i mbështetur nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga klubi më i madh në vend. Remzi Ejupi, president i Prishtinës është shprehur tejet i mërzitur, teksa ka thënë se klubi prishtinas ka njoftuar policinë dhe inspektoriatin.
Ejupi e ka quajtur të parin e FFK-së, Agim Ademin, “uzurpator”, teksa thotë se janë njoftuar organet e rendit. “Ai është i njohur për kësi gjërash, si uzurpator. E kemi njoftuar policinë dhe inspektoriatin”, deklaroi shkurtimisht Remzi Ejupi.