Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder, i cili është bërë jashtëzakonisht i pasur duke punuar me Vladimir Putin dhe kompanitë ruse të energjisë të kontrolluara nga shteti, nuk është në listën e sanksioneve të asnjë vendi.
Si lobisti më i shquar i Kremlinit, ai kryeson komitetin e aksionarëve të gazsjellësit rus Nord Stream 2 dhe bordin e gjigantit rus të naftës Rosneft. Kur kohët e fundit iu dha shansi për të hequr dorë nga Putini dhe lufta e tij e tmerrshme kundër Ukrainës, ai u përgjigj: “Unë nuk bëj mea culpa”.
Shembulli i mjerueshëm i tij na kujton se regjimi aktual i sanksioneve kundër Rusisë ka ende disa probleme serioze. Por meritojnë të përgëzohen arritjet e konsiderueshme të Perëndimit deri më tani.
Në përpjekjet e tyre për të përshpejtuar fundin e luftës së paligjshme, të paprovokuar dhe ndoshta gjenocidale të Putinit, Presidenti Biden, liderët evropianë dhe shumë prej qeverive në mbarë botën që besojnë në rendin ndërkombëtar kanë zbatuar sanksionet më të gjera kundër Rusisë ndonjëherë; shpejtësia dhe uniteti i kësaj fushate ka qenë i paprecedentë.
Qindra kompani janë tërhequr nga Rusia. Dhe veprimet e reja vendimtare evropiane kundër importeve të naftës ruse mund të vijnë së shpejti, veçanërisht pasi Rusia u përpoq të ndërpresë furnizimin e saj me gaz në Poloni dhe Bullgari.
Disa nga këto sanksione synojnë sektorët ekonomikë.
Të tjerët janë fokusuar në aktorë të veçantë politikë dhe ekonomikë – një qasje e shëndoshë, pasi sanksionet individuale kanë avantazhin e fokusimit të dhimbjes ekonomike te vendimmarrësit përgjegjës, ndërkohë që shmangin dëmtimin e tepërt ndaj popullatës në përgjithësi.
Megjithatë, në praktikë, një politikë e tillë është e vështirë të zbatohet vazhdimisht. Shumë oligarkë rusë të afërt me Putinin dhe shumë zyrtarë rusë që punojnë për Putinin ende nuk janë sanksionuar.
Qasja aktuale vendos shumë barrë diskrecionale mbi qeveritë që zbatojnë sanksionet ndërsa ato përpiqen të vendosin se cilët individë meritojnë të sanksionohen dhe cilët jo.
Për këtë arsye, në vend që të synojë individë të veçantë, bota duhet të zhvendosë disa sanksione për të synuar pozicionet në qeverinë ruse, ndërmarrjet shtetërore, partitë politike dhe mediat e kontrolluara nga shteti.
Rusët në këto punë pastaj kanë një zgjedhje: Ata mund të qëndrojnë në rolet e tyre qeveritare dhe të lidhura me qeverinë dhe të përballen me pasojat – ose të japin dorëheqjen dhe të shmangin sanksionet.
Sanksionimi i pozicioneve në vend të individëve do të thjeshtonte gjithashtu shënjestrimin për qeveritë. Rregullat më sistematike janë më të lehta për t’u zbatuar dhe mbrojtur. Ky parim ofron gjithashtu një mënyrë që individët në qeverinë e Putinit të largohen nga lista e sanksioneve, një opsion që nuk është i disponueshëm tani.
Të udhëhequr nga kjo qasje, çdo anëtar i bordit të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft do të sanksionohej, duke përfshirë Schroeder dhe ish-ministren e Jashtme austriake Karin Kneissl. Më pas ata do të duhet të vendosin nëse do të qëndrojnë në bord dhe do të sanksionohen apo do të japin dorëheqjen
. Disa liderë evropianë kanë zgjedhur tashmë opsionin e fundit: ish-kryeministri italian Matteo Renzi nga Delimobil, ish-kryeministri finlandez Esko Aho nga Sberbank dhe ish-kancelari austriak Christian Kern nga Hekurudhat Ruse (RZD).
Pasi të jetë vendosur ky parim i ri i pozicioneve sanksionuese, listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës duhet të zgjerohen.
Agjencia Kombëtare e Ukrainës për Parandalimin e Korrupsionit ka identifikuar 9000 individë, ndërsa Fondacioni Kundër Korrupsionit i themeluar nga lideri i opozitës ruse Alexei Navalny ka rekomanduar 6000 persona.
Mijëra pozicione në qeverinë ruse, ndërmarrjet shtetërore ruse, duke përfshirë mediat shtetërore dhe të kontrolluara nga shteti, si dhe të gjithë anëtarët e bordeve të korporatave duhet të shtohen menjëherë.
Kjo listë duhet të përfshijë, minimalisht, ata në nivel zëvendësministri, të gjithë gjeneralët dhe kolonelët në forcat e armatosura, policinë dhe shërbimet e inteligjencës, si dhe këdo në nivel zëvendëspresident në ndërmarrjet shtetërore.
Zyrtarët dhe personalitetet e larta që paguhen nga Putini dhe kompanitë e mediave të kontrolluara nga shteti gjithashtu duhet të sanksionohen, derisa të japin dorëheqjen.
Çdo anëtar i Rusisë së Bashkuar dhe partive të tjera politike që mbështesin pushtimin e Putinit gjithashtu duhet të vendoset automatikisht në listën e sanksioneve.
Nëse këta anëtarë partie duan të dalin nga lista e sanksioneve, mjafton të japin dorëheqjen.
Politikat për sanksionimin e individëve të sektorit privat gjithashtu duhet të bëhen më uniforme. Për të eliminuar subjektivitetin dhe përpjekjet lobuese, të gjithë 100 njerëzit më të pasur të Rusisë duhet të sanksionohen, pa përjashtim.
Megjithatë, këtyre miliarderëve duhet t’u ofrohet një mundësi tjetër: nëse denoncojnë Putinin dhe luftën e tij, të pezullojnë pagesat e taksave për qeverinë ruse derisa të përfundojë pushtimi dhe të zotohen që një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së tyre personale në një Fond të rindërtimit të Ukrainës të sapokrijuar të kontrolluar nga qeveria e Ukrainës.
Çmim i lartë? Po. Por kjo është një luftë e tmerrshme.
Megjithëse efekti i tyre i plotë mund të duhen vite për t’u realizuar, sanksionet, duke përfshirë sanksionet individuale, po funksionojnë.
Por ne kemi nevojë që të punojnë më mirë, më shpejt dhe më me drejtësi për t’i dhënë fund kësaj lufte.
Për sa kohë që figura si Gerhard Schroeder mund t’i shmangen përgjegjësisë, regjimi i sanksioneve ka nevojë për përmirësim.
Burimi: The Washinhgton Post
Përktheu dhe përshtati: Konica.al