Këngëtari i njohur shqiptar, Ermal Fejzullahu, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Barber Shok”.
Ermal është një nga artistët më të kërkuar në trojet shqiptare, të cilin të gjithë e mbajmë mend me hitet “Për një dashuri” dhe “Goca nga Tirana”.
Këngëtari i shumë hiteve në estradën shqiptare na ka rrëfyer mbi rritjen e tij në karrierë por edhe për sfidat që e kanë ndjekur gjatë jetës së tij.
Ermali e ka shprehur gjithmonë pasionin e tij ndaj basketbollit, por si duket ka pasur një arsye pse ai nuk e ka praktikuar sportin. Fejzullahu tha se është marrë shumë pak me basketboll dhe shkas për këtë ka qenë mbipesha.
I pyetur nga moderatori, Fis Juniku se nëse është bullizuar ndonjëherë gjatë jetës, Ermali e ka pohuar një gjë të tillë.
“Ka shumë njerëz që i njoh, të cilët bullizmi i ka lënë shumë me komplekse, sepse këtu fatkeqësisht nganjëherë s’mund të kesh edhe lirinë e të shprehurit sepse të gjykojnë. Nuk është mirë t’i bullizosh njerëzit sepse ka shumë njerëz në krejt botën që kanë ngelur kështu si unë trashaluq. Kam vlerat e mia, kam artin tim, talentin tim që dikush tjetër ndoshta s’e ka. Nuk bën t’i gjykosh njerëzit në pamje”, tha Ermali.
Në fund këngëtari theksoi se mesazhi që do t’i jepte çdokujt që po përballet me bullizmin, do të ishte thjesht “Mos ta ndjen”.