Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ndihet krenar që Tirana organizon finalen e Conference League. Në një intervistë për Televizionin Shtetëror Holandez, NOS, numri një i FSHF theksoi se sfida finale mes Romës dhe Fejnordit është historike për Shqipërinë.
“Për shumë arsye, vërtetë duhet të ndihemi krenarë për organizimin e një eventi të tillë kaq të rëndësishëm në Tiranë. Shqipëria asnjëherë nuk ka pritur një event të nivelit të tillë, por edhe sepse kjo është një ndeshje historike për herë të parë. Tani përpara finales, vërtetë jam shumë i zënë, jo vetëm unë, por e gjithë Federata Shqiptare e Futbollit madje edhe shumë institucione të tjera në Tiranë janë të zëna me organizimin e finales” .
Duka nuk ngurron të falënderojë UEFA-n që i besoi FSHF-së një finale të tillë, teksa garanton të gjithë njerëzit që do të vijnë në Tiranë që do të kalojnë mjaft mirë.
“Do të doja t’i falënderoja ata që na kanë besuar organizimin e kësaj finaleje në Tiranë, UEFA-n, Komitetin Ekzekutiv, Presidentin Ceferin, sepse shumë janë skeptikë. Pse një finale në Tiranë sepse Shqipëria është një vend i vogël apo një vend që nuk ka organizuar evente të tilla.
Edhe njëherë do të doja t’i falënderoja ato dhe t’i garantoja të gjtihë ata që do të vijnë në Tiranë që do të kalojnë tre ditë shumë të bukura dhe do të kënaqen me Tiranën. Do të kënaqen sepse shqiptarët janë vërtetë një popull mikpritës dhe do të presin shumë mirë, qoftë tifozët e Feyenoord, qoftë ata të Romës dhe gjithkënd”