Tirana do të presë nesër në orën 21:00 finalen e madhe të Ligës së Konferencës në stadiumin “AIR Albania”, ku do të sfidohen Roma dhe Fejnordi. Në ceremoninë e prezantimit të trofeut të parë të këtij kompeticioni europian ishte ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, i cili ka treguar emocionet e këtij eventi:
“Mirë se keni ardhur në Tiranë. Për herë të parë në edicionin e parë kemi kënaqësinë për t’iu prezantuar trofeun e Ligës së Konferencës, me këmbë të mbarë në Shqipëri dhe në Tiranë.
Uroj që të kënaqeni këto dy ditë, të festojmë dhe t’i mirëpresim të huajit dhe të fitojë më i miri.”, përfundoi Cana.
Gjatë ceremonisë së prezantimit të trofeut të këtij kompeticioni, ka folur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka deklaruar që ky event të mos jetë i fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët:
“Mirë se keni ardhur në këtë event të rëndësishëm. Sot është një ditë e veçantë për mua, për Lorikun, për Erionin që prezantojmë për herë të parë trofeun e parë të Ligës së Konferencës. Ditë e veçantë për Tiranën sepse e pret trofeun për herë të parë. Uroj që ne me sjelljen tonë t’i bëjmë sërish të huajt të vijnë sërish në kryeqytet. Sot është një ditë e bukur për futbollin shqiptar që pas një pune voluminoze arriti një objektiv madhor që të ketë një trofe të rëndësishëm.
Uroj që të gjithë bashkë, holandez, italianë, shqiptarë që jemi mikpritës ta shijojmë këtë aktivitet dhe këtë finale. Të mos jetë i fundit për ne shqiptarët. I uroj suksese Romës dhe Fejnordit dhe uroj që të dy ekipet ta zbukurojnë më shumë këtë festë duke dhuruar më shumë spektakël dhe ‘Fair-Play’.”, përfundoi Duka.