Skuadra e Golden State u shpall kampione në Konferencën e Perëndimit dhe do të luajë në finalen e madhe për titullin kampion në NBA përballë fituesit nga Konferenca e Lindjes. Warriors fituan 120-110 ndaj Dallas në finalen e pestë në Perëndim, duke triumfuar 4-1 me ndeshje.
Të gjithë titullarët e Golden State realizuan mbi 10 pikë, çka tregon për punën e mirë kolektive të këtij ekipi. Thompson me 32 pikë ishte shënuesi më i mirë për Warriors, që bashkë me Stephen Curry dhe Green do të luajnë së bashku për këtë fanellë për të gjashtën herë në finalet e NBA.
Në kahun tjetër, për Mavericks u dallua i pëhershmi Luka Doncic me 28 pikë, por që nuk mjaftuan për të fituar. Gjithsesi, dalja në finalet e Perëndimit ishte një sukses i madh për teksanët, që ashtu si Golden State, nuk ishin favoritë, por treguan një lojë të shkëlqyer në fazën play off.