Islanda vërtetoi dhe një herë se Edy Reja ende nuk e ka “shkopin magjik” për të ndryshuar mentalitetin, për t’u dhënë kuqezinjve atë shkëndije që i mungon prej kohësh, nuk e ka ende një formulë fituese.
Pa diskutim që kuqezinjtë kanë pësuar rritje në vitet e fundit, ky është fakt, por sërish nuk mjafton, të gjithë pretendojnë diçka më shumë nga kjo përfaqësuese, fundja e vlera totale e përfaqësueses së Islandës është aq sa kushton vetëm Berat Gjimshiti, por në fund as kjo nuk kishte rëndësi, nuk ishte e dukshme në fushë përballë ishullorëve.
Shqipëria kërkon të fitojë këtë grup në Ligën e Kombeve, një objektiv që tani lidhet ngushtë me sfidën e së premtes kundër Izraelit. Për momentin Islanda qëndron në krye me 2 pikë në 2 ndeshje, Shqipëria ka shansin të marr kreun e grupit menjëherë, por më parë duhet të mposhtë Izraelin.
Në katër përballjet në të shkuarën, Shqipëria ka dy fitore, por aq sa edhe Izraeli. Edy Reja dhe stafi i tij shpresojnë shumë të kenë në dispozicion Armando Brojën, por ende nuk është bashkuar me grupin.
Broja shihet nga të paktët lojtarë që mund të bëjë diferencën në këto momente, ndërsa Asllani dhe Nedim Bajrami, dy lojtarët e shumë përfolur në Serie A ende nuk po arrijnë të përshtaten si duhet, madje Bajrami nuk u preferua asnjë minutë në sfidën kundër Islandës.