Ferrari ka bërë një garë katastrofike në Baku të Azerbajxhanit. Ai që fitoi garën ishte Max Verstappen i cili u nis nga vendi i tretë dhe e përfundoi në shkallën më të lartë të podiumit.
Shenjat se nuk do të ishte një ditë e mirë për “kokëkuqen” u panë që në start me Sergio Perez i cili parakaloi Cherles Leclerc që u nis nga Pole-Position. Ndërkohë, piloti i Ferrarit u rezistoi sulmeve të Max Verstappen, ndërkohë që në xhiron e katërt, Carlos Sainz tërhiqet nga gara për shkak të problemeve me marshet.
Në vazhdim, Leclerc futet në bokse dhe Verstappen i hapet rruga për të parakaluar Perez e për të marrë kryesimin, ndërsa meksikanit iu bë e qartë nga skuderia se nuk duhej të luftonte ashpër me shokun e skuadrës për të mos rrezikuar përplasjen.
Gjithsesi, në xhiron e 20-të kur Leclerc kishte marrë kryesimin e garës pasi Verstappen u fut në bokse, ndodh e papritura. Motorri i Ferrarit përfundon në tym dhe Leclerc detyrohet të tërhiqet me pilotin holandez dhe Perez që kishin rrugën e hapur për të dërguar Red Bullin te triumfi.
Who gets your vote? 🤔
Choose your @Salesforce #F1DriverOfTheDay now! ⬇️#AzerbaijanGP #F1
— Formula 1 (@F1) June 12, 2022
Për Verstappen ishte suksesi i parë në pistën e Baku (triumfi i pestë nga tetë gara në këtë sezon), ndërsa tashmë kampioni i Botës në fuqi arratiset në krye të klasifikimit me plot 150 pikë ndërsa ndiqet nga Perez që ka grumbulluar 129 pikë, teksa shpresat e Leclerc për një sukses në këtë Botëror marrin një goditje të madhe me 23-vjeçarin që mbetet në kuotën e 116 pikëve.
Sa i përket pjesës tjetër të pilotëve, një paraqitje e shkëlqyer edhe nga George Russell i Mercedes i cili e mbylli garën në vendin e tretë dhe ruan traditën e këtij sezoni teksa në asnjë prej garave të zhvilluara deri më tani nuk është renditur asnjëherë më poshtë se vendi i pestë.
Nga ana tjetër, Hamilton u rendit i katërti, ndërsa pas britanikut u rendit Gasly. Në vendin e gjashtë Vettel, ndërsa në dhjetëshen e parë përfunduan edhe Alonso, Ricciardo, Norris e Ocon. Jashtë zonës së pikëve, Bottas apo edhe Mick Schumacher.