MENU
klinika

Çfarë u vendos për Arian Ndojën?

Vendimi i KPK-së për prokurorin e Durrësit

21.06.2022 - 11:39

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin ndaj subjektit të rivlerësimit, prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja.

Prokurori u bë i njohur nga dy episode konkrete viteve të fundit: nga një atentat që iu bë në vitin 2019 dhe betejës konceptuale dhe ligjore me vëzhguesin ndërkombëtar në veting, z. Theo Jakobs.

Ndoja kundërshtoi me forcë çdo gjetje që i ishte bërë nga anëtarët e komisionit, si dhe nga përfundimet që Jakobs vendosi t’ia thoshte në sy prokurorit me përgatitje të lartë profesionale, por që sipas vëzhguesit ndërkombëtar, nuk do ta mbante në skuadër një prokuror si ai për shkak të lidhjeve të dyshimta me emra të botës së krimit.

Ndoja i rezistoi konkludimit të ndërkombëtarit, duke i thënë se edhe ata (pra ndërkombëtarët) ishin përgjegjës për gjendjen në të cilën gjendej sistemi i drejtësisë në vendin tonë.

Ndoja u shkarkua me unanimitet nga ana e treshes gjykuese, përkundër vlerësimeve maksimale që kishin ardhur për të nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërkohë që vendimi u bazua mbi të dhëna për emra dhe persona që dyshohen të lidhur me botën e krimit, por që në fakt edhe në vendimin e zbardhur të KPK-së thuhet se për asnjërin prej tyre nuk ka çështje penale të hapur apo vendim të formës së prerë.

Në lidhje me një sërë episodesh që Komisioni ka veçuar si shkelje të prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, më shumë se sa fakte dhe prova të mbledhura nga komisioni, hasen shkrime nëpër media të ndryshme, ndërkohë që subjekti rivlerësues i ka kundërshtuar, duke pretenduar se ata nuk përbëjnë provë.

VENDIMI

Janë 45 faqe vendim, në të cilat gjenden thuajse të gjitha shkeljet që KPK pretendon që ka gjetur për prokurorin e Durrësit. Fillojnë te lidhjet me një biznesmen ndërtimi në Durrës, me të cilin në vendim thuhet se ka qenë duke drekuar para atentatit, për të vijuar me një emër të akuzuar për krime, por të pahetuar dhe dënuar, e aq më pak të arrestuar; me tre vëllezër nga Mirdita, subjekte të OFL-së; një shok fëmijërie nga Kruja; si dhe me një pronar servisi në Shijak.

Ndoja ka hedhur dritë mbi të gjitha lidhjet-gjetje të Komisionit, duke mohuar të kishte dijeni se ata janë të dënuar.

Po ashtu, në vendim, përveç këtyre emrave (të gjithë të njohur dhe të identifikuar nga “Panorama”), bie në sy zbulimi i një morie kontaktesh që prokurori ka pasur me njerëz të politikës dhe të sistemit të drejtësisë.

Sipas vendimit, prokurori Ndoja ka pasur telefonata me shtetasin Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit, por person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, atij i janë gjetur biseda edhe me një kryebashkiak tjetër, të mandatuar në vitin 2019 nga Partia Socialiste, por interesant është fakti se hartuesit e vendimit nuk e cilësojnë subjektin politik të këtyre dy bashkiakëve, ndryshe dy të tjerëve, të mëhershëm, që përcaktohen në vendim si kryebashkiakë të Partisë Demokratike.

Gjithashtu Ndoja, sipas KPK-së, ka telefonata edhe me gjyqtarë të cilët janë nën hetim nga SPAK.

Ndoja ka shpjeguar se të gjithë i ka miq dhe ka njohje për shkak të detyrave që ka kryer, herë si avokat e pastaj si prokuror.

Një tjetër detaj i rëndësishëm i vendimit është fakti që KPK ka administruar edhe ca materiale personale që mbante në postën elektronike prokurori, ku ndër të tjera, bien në sy inicialet e tre personave që ai i akuzon si të interesuar për ekzekutimin e tij.

Po ashtu, në vendim, ndër të tjera, del edhe një përplasje e vazhdueshme e Ndojës me shefen e Prokurorisë së Durrësit; po ashtu janë edhe një sërë dëshmish që kanë ardhur nga persona që kanë qenë pjesë e dosjeve të Ndojës.

Sjellim pjesë nga vendimi i zbardhur, duke nxjerrë në pah një sërë detajesh të rëndësishme të asaj përplasjeje mes prokurorit të Durrësit dhe përfaqësuesit ndërkombëtar në seancën dëgjimore që u zhvillua në KPK.

LIDHJET ME BIZNESMENIN E NDËRTIMIT

“Në lidhje me shtetasin E. Sh./Sh., u administruan të dhënat si vijojnë: – Nga verifikimi i të dhënave të hyrje-daljeve në sistemin TIMS, rezultoi se ky shtetas ka gjeneralitetet E. Z. Sh., i datëlindjes 29.1.1968, gjithashtu, në lidhje me këtë shtetas, referohen të dhëna për disa procedime penale në periudhën 2010–2014, si dhe në vitin 2019. Ky shtetas ka udhëtuar me subjektin: (i) me automjetin me targa ***, dalje më 22.08.2015, hyrje më 23.8.2015; (ii) me automjetin me targa ***, dalje më 27.1.2013, hyrje më 27.1.2013. – Nga aktet procedurale të administruara nga ana e SPAK, subjekti Arian Ndoja dhe persona të tjerë kanë qenë duke drekuar para sulmit me z. E. Sh.

– I pyetur nga Komisioni, subjekti ka mohuar një marrëdhënie të afërt shoqërore me këtë shtetas, duke deklaruar se ky shtetas është ndërtues, jeton në Durrës dhe me të ka njohje nga puna, duke qenë se ka pasur vite që ushtronte detyrën në atë qytet.

– SPAK nuk konfirmoi procedime penale apo pasurore në emër të këtij shtetasi.

– Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me shkresën nr. *** prot., datë 1.6.2021, ka dhënë informacion mbi disa procedime penale të regjistruara dhe të trajtuara në këtë prokurori për shtetasin E. Sh… Telefonatat e prokurorit Bazuar në informacionin e marrë prej SPAK-ut, nga vëzhguesi ndërkombëtar është konstatuar se subjekti i rivlerësimit: Ka pasur disa kontakte telefonike dhe/ose në “WhatsApp” me drejtues politikanë vendorë, magjistratë dhe persona të tjerë nën hetim nga prokuroria, sidomos gjatë periudhës 2018-2019, konkretisht me:

– Politikanë vendorë, duke përfshirë: (i) z. V. D., ish-kryetar i Bashkisë së ***, i cili ka mbajtur këtë pozicion deri më 2.8.2019, pas deklarimit si person “non grata” nga SHBA-ja (Departamenti i Shtetit). Këto telefonata kanë ndodhur disa herë gjatë periudhës tetor 2018-tetor 2019; (ii) z. R.K. (Kryetar i Bashkisë së *** nga gushti i vitit 2019 dhe kandidat që nga maji i vitit 2019) dhe telefonatat kanë ndodhur në periudhën korrik-tetor 2019; (iii) z. G.V. (avokat dhe anëtar i K.Q.Z. nga viti 2015), këto telefonata kanë ndodhur në periudhën shtator-tetor 201967; z. S.K. (kryetar i Bashkisë së *** në vitin 2011 i angazhuar me P. D. dhe më pas me B. D. – parti e re e krijuar nga z. A. P. në vitin 2019, si një alternativë e PD-së), në periudhën gusht-shtator 2019; (v) z. A.M. (Kryetar i Këshillit të Qarkut *** dhe anëtar i Këshillit Bashkiak *** në periudhën 2013–2021), telefonatat kanë ndodhur në periudhën tetor 2018-qershor 2019.

– Gjyqtarë dhe prokurorë, duke përfshirë: (i) z. A.C., bashkëshorti i znj. M. M., gjyqtare, të dy nën hetim nga SPAK, në periudhën tetor 2018-nëntor 2019. Nuk përjashtohet që mund të ketë konflikt interesi të mundshëm lidhur me ketë, i cili mund të ndodhë ose mund të ketë ndodhur më parë.

– Persona të tjerë të hetuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës si S. D., avokat, aktualisht (2020-2021) nën hetim nga SPAK për vepra penale të lidhura me korrupsionin, së bashku me gjyqtaren M. M. dhe bashkëshortin e saj A. C., të përmendur më lart, në periudhën shtator 2019.Të dhënat që iu morën Ndojës Subjekti i rivlerësimit kishte në dispozicion (me anën e mjeteve elektronike) të dhëna, informacione dhe kopje të dokumenteve, duke përfshirë dokumente të lidhura me hetime çështjesh, disa prej të cilave nuk ndiqen ose ndiqen drejtpërdrejt prej tij, si vijojnë:

– Një kallëzim penal nga shtetasit A. Sh., Xh. M., etj., kundër shtetasit A. T. për disa prona, në të cilin nuk kuptohet mirë përfshirja e subjektit të rivlerësimit si prokuror. – Vendimi i kolegut të subjektit të rivlerësimit, prokurorit A. Sh., për të cilin nuk është e qartë përfshirja e subjektit si prokuror.

– Një urdhër pezullimi i ZVRPP-së Durrës, datë 25.9.2019, ndaj shtetases L. K., deri në përfundimin e procedimit penal ndaj saj, lidhur me një hetim të kryer nga prokurori A. Sh. dhe, për të cilin, nuk është e qartë përfshirja e subjektit të rivlerësimit si prokuror.

– Disa dokumente pronësie që u përkasin shtetasve Z. Gj. (në Durrës) dhe J. N., për të cilët nuk është e qartë përfshirja e subjektit të rivlerësimit si prokuror. – Një video e muajit qershor 2019, e tentativës për vrasjen e shtetasit P. D. dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shtetasit P. D., J. M. dhe B. H. janë aktualisht nën hetim nga SPAK-u për çështjen e Ndojës dhe të akuzuar nga Ndoja si urdhëruesit e sulmit ndaj tij. Nuk është e qartë se kush ia ka dërguar videon subjektit të rivlerësimit dhe nëse është dërguar në të njëjtën ditë kur ka ndodhur sulmi ndaj D., datë 20.6.2020 apo në një moment të mëvonshëm.

– Një video me disa persona që djegin një automjet. – Dy foto të një personi me kapele që nuk identifikohen dhe që duket se i ka në dispozicion elektronikisht edhe shtetasi A. L. (alias P. M.). – Një vendim për shtyrjen e hetimeve nga prokurori i Elbasanit B. M., për të cilin nuk është e qartë përfshirja e të dyshuarit si prokuror”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga vrasjet për drogën tek ringjallja e bandave

Krimet që përgjakën 2019/ Viti i kaluar u mbyll me 68 të vrarë