MENU
klinika

Gjashtë u liruan

Policia e Elbasanit arreston një tjetër numërues

02.07.2022 - 15:29

Ndërkohë që gjashtë të arrestuarit më parë janë liruar nga qelia, policia e Elbasanit ka prangosur një tjetër numërues të shpallur në kërkim.

Në pranga është vënë O. B., 37 vjeç, banues në fshatin Karkavec, Prrenjas. Ai akuzohet për falsifikim të materiale zgjedhore të 25 prillit 2021.

Sipas policisë, në bashkëpunim me 6 shtetas të tjerë, të ndaluar më parë, të cilët kanë patur si detyrë numërimin e votave, gjatë procesit zgjedhor të datës, ka shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore.

Sakaq, ditën e sotme është mbajtur në Gjykatën e Elbasanit seanca, ku 6 të arrestuarit e tjerë, Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku dhe Olgert Alla janë njohur me masën e sigurisë. Burime për ABC bëjnë me dije se për 6 të arrestuarit është caktuar “detyrim paraqitje”.

Njoftimi i policisë:

Falsifikoi materialet zgjedhore të procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, vihet në pranga edhe 1 shtetas tjetër (numërues votash), i shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i materialeve zgjedhore dhe i rezultatit të zgjedhjeve”, për shtetasin:

O. B., 37 vjeç, banues në fshatin Karkavec, Prrenjas.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 6 shtetas të tjerë (të ndaluar më parë), të cilët kanë patur si detyrë numërimin e votave, gjatë procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, ka shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.